Bardhi publikon videon e rradhës/ Vëzhgues të PS kontrollojnë votën e çdo qytetari në qendër votimi në Fier

Gazment Bardhi ka publikuar sot një tjetër video që sipas tij dokumenton shkelje të rënda të procesit zgjedhor në qarkun e Fierit. Ai akuzon se në qendrën e votimit nr. 2817 në Njësinë Administrative Dushk, Bashkia Lushnje, vëzhgues dhe komisionerë të Partisë Socialiste kanë ushtruar kontroll mbi votën e çdo qytetari.
Në videon e shpërndarë, Bardhi pretendon se pamjet zyrtare tregojnë sesi komisionerët dhe vëzhguesit e PS kanë kontrolluar mënyrën e votimit, madje kanë nxjerrë fletët nga kutia për t’i verifikuar. Ai e cilëson këtë si një mekanizëm kriminal të përdorur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku për të mbajtur votuesit nën presion.
“Ky është një krim zgjedhor i rëndë, por që mbetet i pandëshkuar, sepse KQZ, Prokuroria dhe SPAK zgjodhën të bëjnë shoë në vend që të bëjnë detyrën,” shkruan Bardhi.
Sipas tij, zgjedhjet e 11 majit nuk garantuan asnjë nga standardet e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta, duke përbërë një pengesë serioze për integrimin europian të vendit.


