“Shifrat janë këmbanë alarmi”, megaoperacioni, Balla: U zbuluan lloje droge që nuk ua dinim ekzistencën e tyre
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka deklaruar se gjatë megaoperacionit dy ditor të zhvilluar në Shqipëri ku u lëshuan 214 masa sigurie, u zbulua “lloje droge që nuk e dinim ekzistencën e tyre në Shqipëri”.
Balla theksoi se është rritur numri i të rinjve që konsumojnë lëndë narkotike, përfshirë drogë sintetike, dhe sipas tij shifrat janë këmbanë alarmi.
Ministri Balla theksoi se do luftohet deri në qelizën e fundit çdo rrjet shpërndarje dhe do ruhet perimetri i sigurisë pranë shkollave.
“S’do lejojmë që asnjë prej këtyre grupeve kriminale t’i shpëtojë ligjit, pavarësisht çdo mburojë që mund të kenë”, tha ai.
Taulant Balla: “Dëshiroj së pari të përgëzoj dhe t’u shpreh mirënjohjen time të gjitha forcave të Policisë së Shtetit, të përfshira në operacionin e konkluduar sot dhe po ashtu të falënderoj Prokurorinë, Forcat e Armatosura të cilat përmes Shtabit të Përgjithshëm na bënë të mundur edhe vënien në dispozicion të helikopterëve për organizimin me sukses të plotë të këtij megaoperacioni i cili ishte kapilar, i mirëkoordinuar në të gjithë vendin – që në orët e para të mëngjesit të sotëm - për identifikimin dhe goditjen e rrjeteve kriminale të prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ky operacion shënon vetëm fillimin e një rrugëtimi të ri në angazhimin e Qeverisë shqiptare në luftën pa kompromis kundër prodhimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të çdo lloji në vendin tonë.
Operacioni – siç e përmendi në informacionin e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të cilin gjej rastin ta falënderoj - shënoi rezultate, do t’i quaja, impresionuese, në luftën kundër drogës: janë ekzekutuar 356 vendime për kontrolle mjedisesh, janë 214 masa sigurie, shtuar këtij edhe 23 të tjerë që janë arrestuar gjatë kontrolleve në flagrancë.
Kjo tregon se Policia e Shtetit i ka të gjitha kompetencat, përvojën dhe kapacitetet profesionale për ta luftuar me efikasitet të plotë kriminalitetin së bashku me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtare dhe se është një trupë që meriton respektin dhe besimin e të gjithë publikut shqiptar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Të gjithë biem dakord besoj se përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa të reja, të panjohura më parë, jo vetëm në Shqipëri, në Europë apo në Amerikën e veriut, por kudo.
Të dhënat na raportojnë për një numër në rritje të rasteve të personave të cilët përdorin lëndë narkotike në vendin tonë. Nga viti në vit niveli i përdorimit të drogave nga të rinjtë shqiptarë po përbën një trend në rritje, por ajo që mbetet më problematike është se po ulet mosha e atyre, që përdorin për herë të parë lëndë narkotike, duke filluar nëpër shkolla, veçanërisht në shkollat e mesme. Krahas drogave tradicionale është shtuar përdorimi nga të rinjtë edhe i drogave sintetike, që paraqesin një rrezikshmëri të lartë për jetën e tyre. Edhe sot gjatë operacionit të policisë, gjatë kontrolleve janë zbuluar lloje droge, të cilat për ne ishin të panjohura më parë për ekzistencën e tyre në Shqipëri.
Këto të dhëna janë për ne dhe për mbarë opinionin publik, një kambanë alarmi, por institucionet, prindërit, shkollat dhe shoqëria duhet të bëjnë reagim të gjithë së bashku.
Kur shpalla më datë 1 shtator planin e masave për sigurinë në shkolla, kisha në mendje pikërisht këtë situatë alarmi social, që prek apo rrezikon të prekë drejtpërdrejtë familjet dhe fëmijët tanë.
Ministria e Brendshme, qeveria shqiptare, është plotësisht e angazhuar për ta luftuar deri në qelizën e fundit, çdo rrjet shpërndarjeje, të madh a të vogël, të substancave narkotike në vend. Me një fokus të veçantë, krijimin dhe ruajtjen e perimetrit të sigurisë pranë shkollave.
Nuk do të lejojmë asnjë zona të lira për “spaçatorët” e drogës. Nuk do të lejojmë që asnjë prej këtyre grupeve kriminale t’i shpëtojë rrjetës së ligjit, pavarësisht moshës, njohjeve personale, mbështetjes nga punonjës të korruptuar të policisë apo çfarëdo mburoje tjetër.
Jemi të vetëdijshëm se lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe kriminalitetit është një luftë që nuk bëhet vetëm, por ajo kërkon kontributin dhe mbështetjen e të gjithëve, edhe të mediave. Por mbi të gjitha, koordinimin mes policisë, prokurorisë, gjykatave, shoqërisë civile, institucioneve vendore dhe natyrshëm edhe partnerët ndërkombëtarë.
Ministria e Brendshme synon të ngrejë në ditët në vijim një Aleancë Ndërinstitucionale dhe Mbarëqytetare kundër Drogës, për të punuar në një rrafsh shumëdimensional për ndërgjegjësimin, parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike.
Qeveria, organizatat e ndryshme vendase dhe ndërkombëtare, institucionet vendore, komunitetet e ndryshme kanë punuar edhe më parë për këtë objektiv.
Por ajo çka duam të realizojmë, pas këtij momenti, është koordinimi i përpjekjeve dhe bashkërendimi i punës së të gjithë aktorëve vendas dhe partnerë, publikë apo privatë, në luftën kundër lëndëve narkotike, duke ngritur ura të qëndrueshme bashkëpunimi për të ardhmen, që mund të shërbejnë si praktika të mira për t’u zbatuar edhe në fusha të tjera.
Fokusi ynë është hartimi i politikave dhe zbatimi i masave konkrete, terren më terren, me qëllim eliminimin e kërcënimit që i vjen shëndetit por edhe sigurisë publike nga përdorimi i drogave, si dhe përmirësimi i kushteve të jetesës së qytetarëve tanë.
Dhe prandaj, edhe njëherë, dua ta përgëzoj sot Policinë e Shtetit për këto rezultate si asnjëherë më parë, duke nënvizuar se ky është vetëm fillimi i një goditjeje sistematike kundër rrjeteve të prodhimit, trafikimit, shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Dua të garantoj sot, më shumë se më parë, prindërit, gjyshërit, të cilët dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla se paketa jonë e sigurisë po jep rezultate e para dhe se ne do të bëjmë çka është e mundur për të garantuar që brenda këtij perimetri sigurie, grupet kriminale të mos afrohen.
Në ditët në vijim, siç e kam njoftuar, do të bëjmë publike edhe propozimet tona për ndryshime në Kodin Penal për “dyfishim” të dënimit të krimeve që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë në shkolla ku fokusi i veçantë mbetet dyfishimi i të gjitha formave të dënimit për shpërndarjen, shitjen e lëndëve narkotike, brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.
Ky është vetëm fillimi dhe e nxis Policinë e Shtetit që ta ruajë këtë ritëm të ri dhe këtë qasje të re të luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike.
Po ashtu, ju e dini fare mirë që pjesë e kësaj qasjeje është edhe përgjegjësia jonë e përbashkët, e imja, e Drejtorit të Përgjithshëm dhe e drejtuesve të tjerë të Policisë së Shtetit për ta çuar në një nivel tjetër edhe qasjen që do të kemi me vetëpastrimin e Policisë së Shtetit. Edhe ky është një proces që edhe gjatë ditës së sotme, ne do të nxjerrim konkluzionet tona për mënyrën e organizimit të operacionit, por natyrshëm edhe për qasje të reja ndaj një fenomeni i cili do të vijë duke u minimizuar, sikurse është, rrjedhja e informacionit nga brenda Policisë së Shtetit. E vërteta është që gjatë këtij operacioni nuk kemi pasur problematika të kësaj natyre, por duhet të kuptojmë që ky ishte operacioni i parë i madh i këtij niveli. ”