Rama takim me legjendën e tenisit, njofton hapjen e Qendrës Sportive "Rafa Nadal" në Durrës

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale disa foto nga takimi me legjendën e tenisit Rafael Nadal, ku njofton lajmin e mirë se në Shqipëri do të hapet Qendra Sportive ‘Rafa Nadal’.
Kreu i qeverisë krah fotove shkruan se Qendra Sportive do të hapë dyert në Durrës për fëmijët dhe të pasionuarit e këtij sporti nga Shqipëria e rajoni, krah për krah me Akademinë e Futbollit të Manchester City-t. Kompleksi multi-sportiv do të zbatojë metodologjinë e trajnimit të Akademisë Rafa Nadal by Movistar.
Kompleksi i ri, qëllimi kryesor i të cilit është të zhvillojë dhe promovojë tenisin dhe sportin në Shqipëri, do të ritheksojë angazhimin e Rafa Nadal dhe ekipit të tij ndaj vlerave në sport dhe edukimit të fëmijëve dhe të rriturve në mbarë botën.
Qendra Sportive do të ketë 12 fusha tenisi, 6 fusha padel, një fushë multi-sportive, një palestër dhe zonë Ëellness, një pishinë dhe një zonë restoranti. Përveç kësaj, do të ketë një dyqan dhe një muze me disa nga trofetë e Rafa Nadal dhe objekte të tjera të dhuruara nga atletë të mëdhenj.


