ARTI QË SFIDON KANCERIN/ Katër herë përballë sëmundjes, historia e 38-vjeçares që nuk u dorëzua

Gazetarja Sonila Musai sjell historinë e një 38-vjeçareje, e cila edhe pse është përballur katër herë me kancerin, nuk është dorëzuar kurrë.
Në moshën 38-vjeçare, Blerina Kalthi e ka kthyer një nga sfidat më të vështira të jetës në një histori force dhe shprese. Përmes pikturës dhe punimeve artizanale, ajo jo vetëm ka gjetur një pasion të ri, por ka ndërtuar edhe një mesazh frymëzues për të gjithë ata që përballen me këtë sëmundje.
Ngjyrat, fijet dhe qindra pika të vendosura me kujdes mbi telajo janë bërë pjesë e përditshmërisë së Blerinës.
Por pas çdo punimi të saj fshihet një histori që ka kaluar përmes dhimbjes, humbjeve dhe betejës me kancerin.
38-vjeçarja Blerina Kalthi ka gjetur te arti jo vetëm një pasion, por edhe një mënyrë për të mbajtur gjallë shpresën.
Përballja me sëmundjen nisi në vitin 2021. Një dhimbje e lehtë në gjoks do të ndryshonte rrjedhën e jetës së saj. Diagnoza e kancerit erdhi si një goditje e fortë për familjen, e cila më herët kishte humbur djalin e vetëm nga e njëjta sëmundje.
Mes trajtimeve, pasigurisë dhe frikës, arti u kthye në strehën e saj. Fillimisht si terapi shpirtërore, më pas si profesion dhe burim të ardhurash.
Sot ajo realizon piktura me teknikën e artit me pika, punime me grep dhe qëndisje artizanale. Çdo krijim mban brenda një pjesë të rrugëtimit të saj.
Por për Blerinën, arti është më shumë se një punë. Është një kauzë, një mënyrë për të treguar se edhe pas sfidave më të vështira mund të gjesh forcën për të ecur përpara.
Sot, pas katër përballjeve me kancerin, Blerina vazhdon të krijojë, të buzëqeshë dhe të japë shpresë. Sepse, siç thotë vetë ajo, edhe në momentet më të errëta, drita mund të gjendet.


