Rama për ‘Neomalsoren’: S’donte të futej në listë se nuk regjistroi 500 emigrantë! Prandaj e dua shumë këtë njeri!

Kryeministri Edi Rama në podkastin e radhës ‘Flasim’, tregoi se si kishte marrë vendimin për të bërë pjesë të listës Marjana Koçekun, e njohur si ‘Neomalsorja’, kandidate për Partinë Socialiste.
Rama tregoi se Koçeku ia kishte kërkuar vetë, duke i thënë se donte të përfaqësonte zonën e saj, por më vonë refuzoi pasi nuk kishte arritur objektivin për regjistrimin e 500 emigrantëve.
"Më erdhi në sy dhe më thotë: “Dëgjo, e di si është puna? Unë e kam shprehur ambicien time që të jem deputete e Partisë Socialiste. Nuk shoh asnjë hapësirë tjetër përveç Partisë Socialiste, por unë nuk mund të pranoj që zona ime të mos ketë një përfaqësues të drejtpërdrejtë në parlament. Kështu që më thuaj çfarë duhet të bëj më shumë.”
Dhe unë thashë: “Çfarë t’i them kësaj më shumë?” Pasi e pyeta njëherë: “Moj, je e sigurt?” “Po puna atje?” “Lëre punën atje,” - tha. “Po më thuaj çfarë të bëj.” “Mirë,” - i thashë, – “do bësh 500 emigrantë. E bën dot?” Mirëpo ishte kohë e shkurtër, ishte drejt mbylljes. “Duhet të regjistrosh 500 emigrantë dhe, nëse e bën, do vish dhe do më thuash: Unë e bëj këtë punë.
Kur vjen Benet Beci me atë listën e propozimeve, më thotë: “Tani, Marjana më tha që nuk dua të jem, sepse nuk e kam arritur objektivin. Më ka thënë kryetari: 500, por ka bërë 435 emigrantë. Nuk dua të jem.” “Lëre,” -i thashë, -“po si i ka bërë?” “Po,” -më tha Beneti, - “i ka bërë vërtet.” Edhe prandaj e dua shumë këtë njeri, se e ka kokën shumë të fortë", tha Rama.


