Rama njofton rritjen e pagave me 50 mijë lekë për mjekët specialistë, vendimi hyn në fuqi në 30 prill

Politikë

Rama njofton rritjen e pagave me 50 mijë lekë për mjekët

Qeveria shqiptare do të rrisë pagat e mjekëve. Kjo u konfirmua nga kryeministri Edi Rama gjatë Kongresit të Shëndetësisë të mbajtur ditën e djeshme në Tiranë. Sipas shefit të qeverisë, mjekët specialist të kategorive të ndryshme, do të përfitojnë rritje page me 50 mijë lekë, ndërsa kategoritë e tjera mjekë të përgjithshëm e infermierë do marrin paga me rritje 7%.

Këto ndryshime do zbatohen që nga data 30 prill. Rama përsëriti se studentët që përfundojnë studimet në Universitetin e Mjekësisë për profesionin e mjekut, do ta marrin diplomën pas 1 viti pune në spitalet shqiptare.

Ai përsëriti se nuk mund të lejohet që këta studentë të marrin bursa nga shteti shqiptar për të studiuar e punuar në të ardhmen jashtë Shqipërisë. Ky kongres u organizua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social së bashku me qendra spitalore rajonale në vend.

Rritja e pagave për mjekët, Rama jep premtime të mëdha dhe për Spitarin Memorial

Në fjalën e tij përpara mjekëve dhe pjeëmarrësve të tjerë, kryeministri u ndal dhe te Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i cili prej vitesh ende nuk ka përfunduar.

Ai premtoi se stafi mjekësor që do të punësohet aty, do të paguhet mjaft mirë dhe çdo mjekë që punon përtej orarit të punës, do të përfitojë rritje page. Më tej, shefi i qeverisë nënvizoi vendimin e qeverisë për rritjen e pagave me 50 mijë lekë për mjekët specialist dhe 7% për mjekët e përgjithshëm e infermierët. “Spitali Memorial do të krijojë mundësinë për paga më të mira, të barabarta.

Autonomia do t’u rrisë pagat atyre që punojnë më shumë, ndërkohë që duhet të garantojmë një pagë më dinjitoze. Dua t'ju them se në prill, se këtë vit, më 30 prill, mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre, dmth të reja, ose 500 dollarë. Edhe rritja për infermierët dhe mjekët e përgjithshëm vazhdon me 7%”, deklaroi Rama.

Ambicia: Nga 2024, Shqipëria barazon pagat e sektorëve të tjerë me ato të Serbisë

Për sa i përket ambicieve të qeverisë, Rama premtoi se nëse kabineti qeveritar dhe shteti ia dalin të barazojnë pagat e mjekëve me ato të Serbisë në rajon, atëherë nga viti 2024, do të nisë rritjen e pagave dhe barazimin e tyre me ato të shtetit serb edhe për sektorët e tjerë të ekonomisë.

“Nëse në muajin prill, ne ngjitemi lart në pagat e rajonit, e barazohemi me Serbinë, të njëjtën gjë do bëjmë edhe me pagat e tjera brenda këtij mandati, por kjo është lufta ime, duke nisur nga 2024. Kjo ua bën Kongresin më të ëmbël dhe qëndrimin këtu sado të gjatë më të rehatshëm, se kështu do shtyni ditët kur të merrni plusin mbi pagën”, bëri me dije kryeministri dje në Kongresin e Shëndetësisë.

Mjekët që ikin jashtë, Rama: Nuk u paguajmë bursën, diplomën e marrin pas 1 viti

Lidhur me studentët që diplomohen në Shqipëri dhe shkojnë për studime të mëtejshme në Gjermani për mjekësi, Rama përsëriti se ata do ta marrin diplomën jo pas përfundimit të studimeve, por pas 1 viti pune në Shqipëri.

Ai e konsideroi të paarsyeshme që shteti shqiptar të mbulojë bursën e studentëve të mjekësisë që shkojnë për të studiuar e punuar në Gjermani. Rama nënvizoi sërish se ata do ta marrin diplomën pas 1 viti pune në Shqipëri dhe më pas do të punësohen në bazë të meritës në vendet përkatëse të punës.

"Sot 1 student i mjekësisë paguan 1/16 e kostos reale. Shteti dhe taksapaguesit nuk e bëjnë këtë që ditën që mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut, ata të cilët financohen nga ky buxhet, të ikin dhe të shërbejnë në Gjermani. Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman.

Ky është një problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ne ka ardhur koha ta adresojmë. Nga ana tjetër është aspekti i edukimit, nuk mjafton të kesh kryer një shkollë dhe të kesh përmbushur detyrimet në aspektin teorik për t’u konsideruar një mjek, por duhet dhe praktika e përditshme profesionale, por dhe ajo praktikë që farkëton njeriun dhe misionarin.

Në këtë aspekt, ka vend për reflektim përpara dhënies së diplomës. Pas kësaj vjen punësimi sipas meritës”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Edi Rama.  

ME TE LEXUARAT