Rama: Brenda makinave të shtrenjta të PD ka shefa policie dhe grupe që duan të rikthejnë bastet

Kryeministri Edi Rama sot u shpreh se nëse vjen PD-ja në pushtet do të rihapen bastet. Nga Tropoja në mitingun përmbyllës të fushatës në këtë qytet, kreu i qeverisë u shpreh se brenda makinave që shoqërojnë Lulzim Bashën nga njëri qytet në tjetrin sipas tij ndodhen njerëzit që duan hapjen e basteve, por edhe “shefa policie dhe njerëz të stërkorruptuar”.
“Kam një gjë për të shtuar, a ju kanë bërë përshtypje sa të shtrenjta janë ato makina, të gjitha? Që tani këta janë ata që vendosin kujën për çmimin e naftës por ç’po i bëjnë naftës këta dhe nuk po ankohen fare?
Brenda në ato makina janë ata që janë turrur për të përsëritur të njëjtën gjë, brenda janë ata që menaxhonin bastet deri dje, që nga drejtori i basteve dhe një grup tjetër që janë bashkë me ato të basteve që duan ta rrëzojnë këtë qeveri që të fillojnë të hapin ato pikat e basteve për të filluar nga e para.
I bënë doganat dhe tatimet e Shqipërisë përshesh, i duan prapë. Aty janë ata shefa policie dhe njerëz të stërkorruptuar. Doni ti fusni në shtet?” ngriti pyetjen Rama.


