"Provokimi" në Tropojë/ Ngriti dronin me flamurin e PD gjatë takimit të socialistëve, procedohet 28-vjeçari

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, proceduan në gjendje të lirë shtetasin A. G., 28 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale të “Pengimit në ushtrimin e të drejtës për tu shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, pasi më datë 09.04.2021, gjatë zhvillimit të aktivitetit elektoral të një subjekti politik, në qytetin e Bajram-Currit, ka ngritur një dron i cili mbante një flamur me siglën e një subjekti tjetër politik.
Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.
Ditën e djeshme, teksa aktori Petrit Malaj, kandidat për deputet të Partisë Socialiste në listën e Kukësit fliste me banorët në Tropojë, një flamur i Partisë Demokratike u valëvit me dron sipër kokave të tyre. Si duket përgjegjës për incidentin është shtetasi A.G, 28-vjeç.
Videon e momentit të dronit me flamurin e PD-së e publikoi fillimisht ish-kryeministri, Sali Berisha i cili shkruante se "Fitorja fluturon mbi Tropoje! Magjepese". Por, më pas erdhi një reagim nga kandidati socialist, Petrit Malaj ku u shpreh se shqiponjat nuk krahasohen me sorrat./ LajmiFundit


