“Po flasim për qenie njerëzore këtu”, Albin Kurti kundër marrëveshjes Shqipëri-Itali: Si mund të sigurohemi që të drejtat e individëve…
Albin Kurti nuk e konsideron zgjidhje një përsëritje të marrëveshjes së emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë. Përkundrazi, në një intervistë për Euractiv, kryeministri i Kosovës pretendon se kjo mund të ngjallë shqetësime për të drejtat e njeriut.
“Nëse qendra riatdhesimi të ngjashme me ato në Shqipëri mund të ndërtohen në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si mund të sigurohemi që të drejtat e individëve të burgosur të respektohen?”, u shpreh ai, duke shtuar se qendra të tilla do të rëndonin në ndërgjegjen e qytetarëve të Ballkanit dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Kurti e pranon se nëse e dikton një situatë urgjence, një pranim i përkohshëm emigrantësh edhe mund të merret në konsideratë, megjithatë nuk shprehet kundër idesë së përsëritjes së modelit italian.
“Po flasim për qenie njerëzore këtu, të cilat duhen trajtuar me kujdes”, është komenti i tij.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Artikulli kujton sesi pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani dhe rënies së Kabulit në duart e talebanëve gushtin e vitit 2021, Kosova ashtu si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – priti disa qindra afganë të evakuuar nga ushtria amerikane, duke i strehuar në bazat e NATO-s përpara se ata të zhvendoseshin në vende të ndryshme perëndimore.
Pak ditë më parë, vetë kryetarja e Komisionit Europian Ursula von Der Leyen la të kuptohet se e shikon marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë si një shembull suksesi, e madje në një letër dërguar krerëve të vendeve anëtare u bëri thirrje atyre ta shfrytëzojnë si model për të zgjidhur krizat nga dyndja e emigrantëve të jashtëligjshëm.
Interes të veçantë për ujdinë shfaqi në muajin shtator edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili gjatë takimit me homologen italiane, Giorgia Meloni, tha se marrëveshja e cila do të shqyrtojë disa nga kërkesat për azil të emigrantëve të shpëtuar në det që përpiqen të arrijnë tokën italiane, ka marrë vëmendjen e Londrës zyrtare, e cila do të presë të shohë rezultatet e saj.