Përplasje e ashpër në Kuvend/ Balla: Djali i xhaxhait të Shehajt ka manipuluar pronat në Vlorë! Shehaj: Shpifës ordiner

Tensione dhe akuza të forta në Kuvend mes Taulant Ballës dhe Agron Shehajt.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi një të afërm të deputetit Agron Shehaj për manipulim pronash në Vlorë, ndërsa Shehaj iu kundërpërgjigj duke e cilësuar Ballën “shpifës ordiner”.
Shehaj mohoi akuzat, ndërsa iu drejtua me tone të ashpra Ballës duke i thënë se do të përfundojë në burg.
Shehaj: Zbatoni ligjet e Kushtetutën. I shihni njerëzit që kanë dalë apo jo. Ju kalojnë afër shtëpisë apo jo. Janë me dhjetëra mijëra, del Taulanti dhe i tall. Keni shitur Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve në 35 vite, kanë dalë në shesh shqiptarët. Kuvendi duhet të shkrihet nuk ju duan më njerëzit duhet të vijnë t’ju marrin zvarrë. Taulant kujdes kur kalon afër koshit të plehrave se mund të të marrin e t’ju fusin atje siç kanë bërë në vende të tjera. Do të mbahet mend si qershori i protestave. Mjaft i injoruat dhe ua nxitë jetën qytetarëve. Kur populli ngrihet duhet të shkohet në zgjedhje.
Balla: Ky Agron Shehaj që bërtet ka hall tjetër, nuk ka hallin e protestës. Ai ka hallin e djalit të xhaxhit, që është një nga personat që ka manipuluar pronat atje. Është nën hetim. E di gjithë Vlora se sa hektarë tokë ka Agim Shehaj. Unë të sfidoj. Dalim nga salla dhe shkojmë në Vlorë dhe sqarojmë problemet që ke ti dhe Agim Shehaj.
Shehaj: Çfarë të them unë o Taulant. Ti nuk e di, por familja ime jeton jahstë prej ’91. Ne nuk kemi lidhje, unë dhe familja ime dhe fisi im nuk ka marrë asnjë metër katror nga sa i takonte, por ti je një shpifës ordiner. Ju injoroni faktet. Po ndodh një ndryshim i jashtëzakonshëm. Edhe ti Taulant do përfundosh në burg. Këtu do jemi!


