Vlorë, IMT vijon aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje

Inspektorati i Mbrojtjes së Territori, IMT, ka vijuar edhe këtë të enjte aksionin për shembjen e objekteve të ndërtuara në kundërshtim me ligjin, si dhe të atyre që zënë hapësirat publike në qytet.
Gjatë ndërhyrjeve të zhvilluara në qytetin e Vlorës, IMT është ndalur në disa pika të ndryshme, ku ka ndërmarrë veprime për prishjen e strukturave pa leje. Konkretisht, është shembur një strehë metalike e ndërtuar pranë një pallati banimi, e cila konsiderohej e paligjshme dhe pengonte shfrytëzimin normal të hapësirës publike.
Po ashtu, ndërhyrje janë kryer edhe në disa objekte të tjera në lagjen “28 Nëntori”, ku inspektorët kanë evidentuar ndërtime pa dokumentacionin e nevojshëm ligjor. Sipas autoriteteve, aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim në të gjitha zonat e qytetit të Vlorës, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe zbatimin e ligjit ndaj çdo ndërtimi pa leje.
Përfaqësues të IMT-së bëjnë me dije se këto ndërhyrje janë pjesë e një plani të gjerë për rivendosjen e rendit urban dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët. Ata theksojnë se çdo objekt i konstatuar në shkelje të legjislacionit në fuqi do t’i nënshtrohet procedurave përkatëse të ligjit.