“Pensione 400 apo 1 mijë euro”, Rama: Mos u besoni sudeve që dalin me tuta majë malit apo në katin e 8-të…

Politikë
“Pensione 400 apo 1 mijë euro”, Rama: Mos u besoni sudeve

Kryeministri Edi Rama ka vijuar takimet me pensionistët, në kuadër të një bashkëbisedimi me moshën e 3-të. Nga Korça, Kreu i Qeverisë tha se te pensionet nuk është si te pagat. “Sot kemi 705 mijë pensionistë, ndërsa në 2013-ën kishte 517 mijë. Në këtë pikëpamje kemi një rritje të fondit për pensionet.

Kur ju dëgjoni për rritje pagash duhet të jeni të parët që duhet të gëzoheni, pasi nga një pagë më e lartë, merr një kontribut nga sigurimet shoqërore edhe më të madh. Sot fondi nga 501 mln euro ka arritur në 1.3 mld, pra më shumë se dyfishin”, tha Rama.

Kryeministri tha se jemi në kushtet kur do të nisë rritja e pensioneve. “Më parë ua kemi thënë që pensionet nuk do të rriteshin, por tani është momenti për të rritur pensionet. i kemi indeksuar, por nuk i kemi rritur. Sot mund të flasim për mundësinë e rritjes së pensioneve. Ky vit është një vit me rritje të ardhurash”, tha Rama.

Në vijim, referuar premtimeve të opozitës për pensione 400 apo 1 mijë euro, Rama i quajti si sharlatanë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Këta janë maskat e Sudes. Qoftë kur dalin maskat majë malit me tuta, qoftë kur dalin nga kati i 8-të, qoftë kur dalin maskat në ekranet dhe paraqiten si e reja, ato janë Sudja. Ne Suden e kemi një ije që na ndjek nga mbrapa, ndaj s’kemi arritur të bëjmë prokopi. Kemi pasur një çift politik nga njëra anë Suden dhe nga ana tjetër Haxhi Qamilin”, tha Rama.

Në vijim, ai tha se Shqipëria anëtare e BE në 2030, do të thotë që ne të shpëtojmë edhe nga ky çifti Haxhi-Sude. “Hija e Haxhiut po tretet, por Sudja është shumë e pranishme”, tha Rama.

ME TE LEXUARAT