“Partizani”/ Apeli i GJKKO rrëzon Berishën, lë në fuqi masën “arrest në shtëpi”

Apeli i GJKKO ka rrëzuar ankimimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për të fituar lirinë, duke lënë në fuqi masën “arrest shtëpie”.
Berisha kërkonte ndryshimin e masës “arrest në shtëpi” e caktuar me 30 dhjetor të vitit të kaluar.
Po sot, në orën 10:00 do të dalë para prokurorëve të SPAK edhe dhëndri i ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi, i cili do të pyetet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi:
Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”


