"Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, reagon Rama: 'S'ka prova, mbajnë në qeli kryetarin e punëve të Tiranës'"

Politikë

"Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, reagon Rama:

Kryeministri Edi Rama ka reguar për vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lehtësimin e masës së sigurisë dhe nxjerrjen e tij nga paraburgimi.

Sipas Ramës, “kalvari i Erion Veliajt” është një rast unik në historinë e Evropës demokratike dhe ai pretendon se ende nuk është bërë e qartë ekzistenca e një rrezikshmërie ekstreme që do të justifikonte, sipas tij, qëndrimin e zgjatur në paraburgim të një personi të zgjedhur nga qytetarët.

Kryeministri e zhvendosi vëmendjen edhe te funksionimi i kryeqytetit, duke argumentuar se mungesa e kryetarit të zgjedhur po krijon një kosto për Tiranën dhe banorët e saj.

Ai e cilësoi situatën si një “eksperiment të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”, duke pretenduar se kostoja e tij po rëndon mbi afro një milion banorët e Tiranës.

Reagimi i plotë i Edi Ramës:

 'Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!

Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nënshtrohem gjithnjë këtij rregulli – madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë.

Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur:

Askush s'po do t'ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milion banorë duhet t'i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik.'"

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion