Berisha reagon në ditën e 9 të protestës: S`jemi kundër saj, por as kundër investimeve të huaja

Kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar kundër projektit në Zvërnec, duke e shfrytëzuar këtë mobilizim qytetar për të përsëritur qëndrimet e tij politike ndaj qeverisë.
Në një postim publik, Berisha ka rikthyer kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila sipas tij duhet të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend.
Postimi i Berishës:
Lidhur me disa shkrime dhe komente të mediave për qëndrimet e Partisë Demokratike ndaj protestës së fuqishme rinore e qytetare, sqaroj sa vijon:
Së pari: Partia Demokratike që në fillim ka deklaruar se dënon me forcën më të madhe dhunën dhe rrëmbimin e protestuesve paqësorë në Zvërnec, epitetet e përdorura nga Edi Rama ndaj tyre dhe rrethimin e fshatit me tela me gjemba, si në kohë pushtimesh.
Së dyti: Kjo protestë nuk është thirrur nga PD-ja, por ne e respektojmë atë dhe të drejtën e çdo qytetari për të protestuar. Partia Demokratike nuk u ka kërkuar asnjëherë anëtarëve dhe mbështetësve të saj që të mos e mbështesin apo të mos shkojnë në protestë, pavarësisht disa thirrjeve të orkestruara nga “opozita e opozitës” si vegël e faktuar e qeverisë kundër nesh dhe për agjendën e vet politike. Duke i konsideruar këto thirrje si përpjekje të “opozitës së opozitës” për të manipuluar politikisht protestën rinore e qytetare në funksion të agjendës së vet politike, qëndrimi ynë ishte i qartë: nuk duhet që gjethet apo degëzat të na pengojnë të shohim trungun madhështor të protestës së rinisë dhe qytetarëve shqiptarë.


