Mbyllet burgu i Zaharisë, merret vendimi për të dënuarit me probleme mendore

Aktualitet

Mbyllet burgu i Zaharisë, merret  vendimi për të dënuarit me

Pasi Ministria e Drejtësisë vendosi të mbyllë përfundimisht Burgun famëkeq të Zaharisë në Krujë, i konsideruar si “kamp përqendrimi”, kreu i kësaj ministrie, Ulsi Manja, sqaron edhe se ku do të strehohen të burgosurit e këtij burgu.

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, Manja tha se ata do të transferohen brenda këtij muaji në burgun e Shënkollit në Lezhë. Ministri tha se Këshilli i Europës kishte rekomanduar që të burgosurit me probleme të shëndetit mendor duhet të kalonin në institucione nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Aktualisht, në Burgun e Zaharisë janë 329 persona të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe kryesisht me probleme të shëndetit mendor.

“Më lejoni të jap shifrën e saktë të personave që ndodhen në institucionin e trajtimit të posaçëm, janë 329 persona në Burgun e Zaharisë. Ka një rekomandim të Këshillit të Europës që kjo kategori, persona me masë shëndetësore, do të duhet të kalojnë në administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Kemi dakordësuar për një zgjidhje tranzitore derisa të kalojnë drejt një institucioni të posaçëm, ne do t’i akomodojmë në bllokun 4 dhe 5 të Shënkollit. Zaharia do të mbyllet brenda nëntorit. Unë pres vlerësimin e fundit nga ekspertët për të marrë në dorëzim vlerësimin e punimeve në bllokun 4 dhe 5, do të firmos kalimin e këtyre personave me masë shëndetësore nga Zaharia tek ai i Shënkollit”, tha Manja.

VENDIMI

Vendimi për mbylljen e institucionit të ekzekutimit te veprave penale të Zaharisë u mor në fillim të këtij muaji pas kërkesave prej vitesh nga institucionet ndërkombëtare. Në këtë burg po shlyejnë dënimet të dënuarit që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë një takimi informal me gazetarë më 5 nëntor, bëri me dije së tashmë është marrë vendimi dhe Zaharia do të mbyllet përfundimisht. Të dënuarit që ndodhen atje, sipas ministrit, do të transferohen në mënyrë të përkohshme në bllokun 4 dhe 5 të Burgut të Shënkollit. Këto godina i janë nënshtruar rikonstruksionit dhe janë bërë gati për të dënuarit që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.

Ministri Manja u shpreh se ky vendim është marrë pasi edhe partnerët ndërkombëtarë në raportet për vendin tonë kanë vënë theksin gjithmonë te Burgu i Zaharisë, duke pretenduar se në këtë burgu shkelen të drejtat e njeriut. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kërkojnë që të burgosurit e kësaj kategorie të dërgohen në qendra të posaçme ku marrin edhe trajtim spitalor.

Manja ka deklaruar se spitali i burgut nuk i ka të gjitha kushtet që të mundësojë trajtimin e këtyre të dënuarve, ndërkohë janë në kontakt më Ministrinë e Shëndetësisë për të përcaktuar një spital të posaçëm për këtë kategori të dënuarish. Blloku 4 dhe 5 në Shënkoll është thuajse gati dhe brenda nëntorit mund të bëhet transferimi i të dënuarve nga Zaharia. Manja nënvizoi faktin që përpara së të futen të dënuarit në këto godina, do të ftonte edhe mediat për të parë kushtet e burgut.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion