“Ky Kod Penal është një kthim në diktaturë” – Avokati Hazizaj rrëzon draftin e ri: Nuk kufizon por dhunon lirinë

Politikë

“Ky Kod Penal është një kthim në diktaturë”

Avokati i njohur penalist Sokol Hazizaj e ka cilësuar “të rrezikshëm dhe absurd” draftin e ri të Kodit Penal që po diskutohet në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai deklaron se ky draft është një përzierje e përkthimeve të keqkuptuara dhe kopjimeve pa kriter nga ligje të tjera, që nuk reflektojnë realitetin shqiptar.

Sipas Hazizajt, ky Kod i ri rikthen idetë dhe frymën e diktaturës së viteve 1945, me dispozita që penalizojnë sjellje të zakonshme dhe fusin qytetarët në burg për shkelje që s’duhet të jenë as kundërvajtje. Ai e quan projektin “qesharak”, ku dënimi me burg është vendosur si zgjidhje universale për çdo situatë – nga falimentimi civil e deri te parkimi gabim apo shprehja e mendimit në publik.

“Ky draft nuk e kufizon lirinë, e burgos atë”, – u shpreh Hazizaj, duke shtuar se çdo përpjekje për përmirësim të ligjeve duhet të bazohet në analizë reale të kriminalitetit dhe jo në kopjim të verbër.

Ai kritikon ashpër futjen e dënimeve penale për çështje civile si falimentimi (neni 687), por edhe nenet që cënojnë lirinë e medias, si 515 për “sekretin hetimor”, të cilin e krahasoi me një skenë groteske nga filmi “Eduard Gërshërapreri”.

Hazizaj theksoi se Ministria e Drejtësisë është shmangur nga procesi dhe ky draft nuk është as ligjorisht korrekt, as i nevojshëm. Ai shpreson që të mos kalojë, por paralajmëron qytetarët të jenë vigjilentë ndaj pasojave që ky Kod mund të sjellë nëse miratohet.

Në fund, avokati i kujton shoqërisë se “kur ligji përdoret për të shtypur dhe frikësuar, nuk është më ligj, por mjet dhune”.

ME TE LEXUARAT