Kuvendi votoi heqjen e imunitetit për Ahmetajn, reagon për herë të parë Edi Rama

Kryeministri Edi Rama reagon për herë të parë, pas votimit në parlament, për heqjen e imunitetit ndaj Arben Ahmetajt, duke i hapur kështu rrugë arrestimit të tij.
Votimi në parlament, erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së Posacme e cili ngriti ndaj ish-zv/kryeministrit akuzë për tre vepra penale, përkatësisht, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Kryeministri Edi Rama në një dalje për mediat, ka folur për drejtësi të re, pa lidhje farefinsore, por dhe klanore apo të përzierja me politikën, duke marrë shkas kështu nga fakti se ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është vënë në shënjestër të SPAK për t’u arrestuar.Rama u shpreh se nuk mund të pajtohet kurrë me ata që fryjnë xhepat duke abuzuar me besimin e njerëzve dhe besimin e tij duke kthyer mandatin e shqiptarëve.
“Mua këtë mision ma kanë besuar shqiptarët dhe përpara tyre, qoftë atyre që më kanë zgjedhur, qoftë atyre që nuk më kanë zgjedhur, për ta udhëhequr këtë përpjekje historike në të mirë të të gjithëve, për këtë vend të bekuar nga dora e zotit dhe të penguar kaq gjatë nga dora e robit, unë nuk pajtohem dot që abuzon me këtë besim, duke e kthyer mandatin e shqiptarëve, të votuesve tanë dhe besimin tim gjithashtu, në një mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin, duke punuar për shtetin. Për hir të këtij misioni dhe për t’iu kthyer shqiptarëve me sa fuqitë e mia ma lejojnë sadopak, nderin e jashtëzakonshëm që më kanë bërë, duke më besuar udhëheqjen e këtij vendi, unë jam gati të mbaj baltën e pambarimtë që kundërshtarët e të gjitha llojeve më hedhin, çdo ditë, padrejtësisht, në fytyrë dhe në gjoks, prej vitesh.
Por nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do të jem kurrë gati, të mbaj në shpinë me Partinë Socialiste, askënd”, theksoi ai.


