Kush është Klodiana Spahiu, ministrja e re e Shëndetësisë? Nga kardiologe në QSUT te drejtimi i dikasterit

Klodiana Spahiu është emëruar ministre e re e Shëndetësisë, duke zëvendësuar Evis Salën, e cila një ditë më parë njoftoi dorëheqjen nga detyra.
E lindur më 22 maj 1973 në Durrës, Spahiu ka një karrierë të gjatë në mjekësi, akademi dhe politikë. Ajo ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1997, ndërsa më pas është specializuar në Kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Gjatë karrierës së saj, Spahiu ka kryer disa specializime në kardiologjinë joinvazive në Itali, ndërsa në vitin 2005 është specializuar edhe në Kardiologjinë Invazive, kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës në Spitalin “Santa Chiara” në Pisa.
Në vitet 2012-2014 ka përfunduar masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor, ndërsa mban edhe titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes kardiologe në QSUT dhe në Spitalin e Durrësit, ku më vonë është emëruar drejtore. Paralelisht, ajo ka zhvilluar edhe aktivitet akademik, duke dhënë mësim në institucione të ndryshme universitare në Tiranë.
Në politikë, Klodiana Spahiu është deputete e Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 2009. Gjatë aktivitetit të saj parlamentar ka qenë pjesë e komisioneve dhe nënkomisioneve të ndryshme, si dhe ka mbajtur postin e nënkryetares së Kuvendit.
Tashmë, Spahiu rikthehet në një rol ekzekutiv, këtë herë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.


