Ish-ministri socialist Ndre Legisi: Nxjerrja e PS nga "llumi" ku e futi Rama, detyrim i socialistëve

Politikë

Ish-ministri socialist Ndre Legisi: Nxjerrja e PS nga "llumi" ku e

Ish-ministri socialist Ndre Legisi ka shprehur qëndrimin e tij kritik ndaj situatës ku ndodhet sot Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës, teksa vendi vazhdon të përfshihet nga protesta masive kundër kreut të qeverisë prej më shumë se tri javësh.

Legisi e quajti detyrim të socialistëve "të viteve të sakrificave" nxjerrjen e PS-së nga "llumi ku e futi Edi Rama". Reagimi i tij erdhi në vazhdën e mesazhit të themeluesit të FRESSH, Ilir Zela, i cili kishte shprehur më herët një qëndrim të ngjashëm kritik ndaj drejtimit aktual të partisë.

Legisi argumentoi se ekziston një paralelizëm mes vlerave historike që Partia Socialiste mishëroi në Kushtetutën e vitit 1998 — rezistencës ndaj fashizmit në pushtet (1992–1997), stabilizimit pas krizës së 1997-ës, kontributit në çlirimin e Kosovës dhe reformës në drejtësi të 2015-ës — dhe aspiratave të të rinjve që po protestojnë sot.

 

Ai vuri në pikëpyetje nëse të gjithë socialistët janë "katandisur në klone të subjekteve të SPAK, në viktima të oligarkisë", duke shprehur shpresën që revolta e të rinjve t'u jepte socialistëve mundësinë "të rigjejnë partinë e tyre të zaptuar nga trusti i betonit".

Sipas tij, nëse Edi Rama ka ndonjë "fije mirënjohjeje", tani është koha ta shfaqë atë, pasi prej 13 vitesh është kryeministër me votat e socialistëve, dhe "asnjë pushtet nuk mund të jetë i përjetshëm". Legisi paralajmëroi se hezitimi për t'i hapur rrugë ndryshimit tani rrezikon ta lërë Partinë Socialiste — që ai e quan "partia e Dritëro Agollit" — si "një kujtim të bukur të një të shkuare të largët", me shumë mundësi pa anëtarë dhe pa votues.

"Ose PS ndryshon rrugë tani, ose një e majtë e re... do të ngrihet si alternativë e qenësishme politike," shkroi ai, duke e cilësuar "eksperimentin e autokracisë" të përfunduar "me dështim, shëmti, hajni dhe tallje".

Si themelues dhe kryetar i parë i FRESSH dhe anëtar i PS-së prej vitit 1992, Legisi shprehu shpresën që përfaqësuesit më të mirë të rinisë të vijnë në krye të së majtës me një mendësi të re, për një Shqipëri që "duhet patjetër të mbyllë tranzicionin" dhe të anëtarësohet në BE.

ME TE LEXUARAT