Begaj reagon për herë të parë mbi protestat: "E drejta për t'u shprehur është vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta"

Politikë

Begaj reagon për herë të parë mbi protestat: "E drejta

Presidenti Bajram Begaj ka folur për herë të parë lidhur me protestat që po vazhdojnë prej 25 ditësh radhazi në Tiranë, duke theksuar se e drejta e qytetarëve për t'u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike përbën një vlerë të mbrojtur nga Kushtetuta.

Deklarata erdhi gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës. Begaj e vendosi reagimin e tij brenda kuadrit të neutralitetit kushtetues që i takon rolit të presidentit, duke shpjeguar se e drejta për pjesëmarrje në jetën publike duhet ushtruar "në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit".

"Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore," tha presidenti. "Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik."

Begaj theksoi se korniza kushtetuese, bashkë me rregullat e shtetit ligjor dhe të demokracisë, përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë. Ai u shpreh i përkushtuar, si President i Republikës, ndaj mbrojtjes së Kushtetutës dhe të drejtave themelore të qytetarëve, si dhe ndaj nxitjes së një klime bashkëpunimi dhe dialogu që "i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit".

ME TE LEXUARAT