Grupi Parlamentar i PD mblidhet për të dytën herë brenda ditës

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet sërish sot, për të dytën herë brenda ditës. Mbledhja do të mbahet pas përfundimit të seancës plenare.
Kujtojmë se mbledhja e parë pak para nisjes së seancës plenare zgjati vetëm disa minuta, ndërsa u shoqërua me debate mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeajt.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha pas mbledhjes së grupit parlamentar se pas vendimit të gjykatës ajo që po ndodh në selinë blu është “atmosferë pushtimi”. Alibaej u shpreh se duhen dhënë sinjale bashkimi, por ato nuk mund të jepen duke ardhur, sipas tij, në mënyrë të dhunshme në mbledhjen e grupit siç bëri Berisha. Alibeaj tha se Berisha nuk është pjesë e grupit parlamentar.
“Të gjejmë spiralen e bashkimit, ajo nis me palët që nisin të marrin frymë. Bashkimi bëhet duke qetësuar shpirtrat e tyre sepse këto 6 muaj është zhvilluar një luftë e dhunshme. Sinjalet nuk mund të jepen duke pushtuar selinë e duke ardhur në mënyrë të dhunshme në mbledhjen e grupit parlamentar ndërkohë që nuk është pjesë e grupit parlamentar. Berisha nuk është pjesë e grupit. Për të gjetur gjuhën e përbashkët, ca akte të rëndësishme që të perceptohen nga njerëzit duhen bërë. Ndërprerja e gjuhës lincuese. Të ndërpritet kjo gjuhë dhe këto procese të njëanshme që demokratët në bazë të bashkohen. Si me Bashën duhet të ndodhë edhe me Berishën. Të japë dorëheqjen. Ndërkohë që ne bëjmë këtë tollovi Rama fërkon barkun”, tha ai.


