Gjekmarkaj: Zgjedhjet kësaj radhe nuk u vodhën në kuti, pati një inxhinieri paraprake elektorale

Politikë

Gjekmarkaj: Zgjedhjet kësaj radhe nuk u vodhën në kuti, pati

Pedagogu dhe deputeti i zgjedhur i PD në Lezhë, Agron Gjekmarkaj deklaroi të enjten se tragjedia e demokracisë shqiptare është vjedhja në mënyrë të përsëritshme e zgjedhjeve.

Gjekmarkaj, tha në “Real Story” se kësaj here ndryshe nga herët e tjera, zgjedhjet nuk janë vjedhur në kuti, ditën e votimit, por ka pasur një inxhinieri elektorale paraprake, ku shteti dhe pushteti janë bërë një si sandwich.

“Unë mendoj që temat e emisionit këto dy javë duhet të kishin pasur në fokus si u vodhën zgjedhjet. Mendoj që shumica e shqiptarëve e besojnë. Narrativa ndryshon kur je në studiot e Tiranës dhe tjetër është kur je me statusin e dëshmitarit në një histori.

Ndoshta unë do kisha pasur tjetër qasje nga një studio televizive, ndryshe kur merr informacion në gjithë Shqipërinë se çfarë ka ndodhur. Nuk është term i fortë sepse më duket term i vërtetë, tragjedia e demokracisë shqiptare, vjedhja në mënyrë të përsëritshme e zgjedhjeve, por kësaj here ndryshe nga herët e tjera, zgjedhjet nuk janë vjedhur në kuti, ditën e votimit, sigurisht ka pasur ndonjë tentativë për prishje fletësh votimi, ka pasur një inxhinieri elektorale paraprake, ku shteti dhe pushteti janë bërë një si sandwich dhe kanë ndikuar në të gjitha format e mundshme që të trukohet dhe të ndryshojë vullneti i elektorëve në kutinë e votimit dhe pjesërisht ia kanë dalë duke ia hequr një sasi mandatesh opozitës shqiptare, duke penguar ardhjen e saj në pushtet me artifice.

Kush janë këto artifice? Janë disa, i ka renditur PD në ankimin që i ka çuar KAS. Përdorimi i parave të tërmetit, menaxhimi i vaksinës dhe pandemisë, punësimet e paligjshme që u bënë, fryrja e administratës, forma më tipike siç janë aleancat në qytete të caktuara me grupe të njohura për kriminalitet”, deklaroi ai.

Sa i përket Lezhës, ku u zgjodh deputet, Gjekmarkaj tha se edhe atje ka pasur një histori vjedhjesh.

“Për hir të së vërtetës dhe në Lezhë ka pasur nga këto histori që unë thashë. Në qoftë se ne bashkojmë votat që i tepruan PD dhe të LSI sigurisht që ishte dhe mandati i pestë. Unë kam bindjen në zona të caktuara ka pasur blerje votash. Njerëzit janë të intimiduar të flasin. Ne kemi një rast në Torovicë ku njëri dëshmoi që kishte shitur votën dhe u arrestua ai dhe 4 të tjerë që e kishin filmuar. Pse ndodh kjo? Për të stopuar denoncimet. Në kushtet tona kjo është shumë tendencioz për t’i mbyllur gojën njërës palë”, tha ai.

ME TE LEXUARAT