Dosja 'Partizani', Avokati Petraj: Berisha e Malltezi rrezikojnë mbi 10 vite burg! SPAK po skanon 'Gërdecin' nga e para

Politikë

Dosja 'Partizani', Avokati Petraj: Berisha e Malltezi rrezikojnë

Në emisionin “Studio Live”, avokati Edmond Petraj dhe gazetari Poli Hoxha diskutuan për disa nga dosjet më të nxehta që aktualisht janë në duar të SPAK.

Për aferën korruptive të quajtur “Partizani”, hetimet kanë nisur gati katër vite më parë, por ende nuk ka filluar procesi gjyqësor, megjithëse dosja është dorëzuar në Gjykatën e Posaçme më shumë se pesë muaj më parë.

Avokati Edmond Petraj shpjegoi se rëndësia e seancës paraprake është e madhe, pasi gjyqtari që do ta drejtojë këtë proces do të vendosë për fatin e të pandehurve. Nëse akuzat e SPAK rezultojnë të vërteta, ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, mund të përballen me mbi 10 vite burg. Petraj theksoi se Berisha është i akuzuar për korrupsion pasiv, pasi lejoj institucione shtetërore që të shkelin ligjin duke i dhënë kompleksin “Partizani” ish-pronarëve. Ky proces ka sjellë përfitime të mëdha, pasi janë ndërtuar 19 pallate në këtë kompleks, duke siguruar një fitim të konsiderueshëm.

Ndersa për tragjedinë e Gërdecit, ku shpërthimi ka shkaktuar shumë viktima, hetimet po vijojnë ende. Avokati Petraj njoftoi se po thirren dëshmitarë të cilët ishin të pranishëm në vendngjarje më 15 mars 2008, si dhe po merret në pyetje edhe grupi i prokurorëve që e kanë hetuar atë ngjarje. Petraj theksoi se nuk janë hetuar të gjitha aspektet e ngjarjes, veçanërisht lidhjet mes privatëve dhe shtetit në këtë aferë të armëve. Ai po ashtu theksoi se lidhjet e Kosta Trebickës, i cili ndërroi jetë në rrethana të dyshimta, ende mbeten të pazbardhura.


Sa i përket ngjarjeve të 21 janarit, ku disa persona humbën jetën gjatë protestës, Petraj njoftoi se po bëhet një analizë e plotë e çdo personi të përfshirë dhe një skanimin i detajuar i audio-përgjimeve të cilat po verifikohen për autentikitetin. Edhe pse përgjimi i tillë nuk është marrë në mënyrë të ligjshme, nëse zbulohet se ai është autentik, mund të provohet fshirja e provave dhe manipulimi i ngjarjeve, duke krijuar mundësinë e nxjerrjes në pah të faktit se si janë ndodhur vrasjet e protestuesve.

Këto janë disa nga dosjet më të nxehta që pritet të zhvillohen në muajt në vijim dhe që mund të sjellin ndryshime të rëndësishme në drejtësinë shqiptare.

ME TE LEXUARAT