Detaje nga mbledhja e Grupit të PS, kryeministri Rama: Diskutuam për ecurinë e negociatave të anëtarësimit në BE dhe ...

Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje nga mbledhja e zgjeruar e fundmuajit me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, ku në fokus kanë qenë proceset politike dhe integruese të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për ecurinë e komunikimit me organizatat socialiste në kuadër të nismës “Punët e Shqipërisë”, si edhe për progresin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në mbledhje është trajtuar gjithashtu kalendari i nismave ligjore që lidhen me procesin e integrimit europian, ndërsa pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe aktivitetet e planifikuara për “Majin e Europës” dhe ritakimet e brezave në prag të 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
“Sot në mbledhjen e zgjeruar të fundmuajit, me grupin parlamentar dhe qeverinë, diskutuam për ecurinë e procesit të komunikimit me organizatat socialiste për ‘Punët e Shqipërisë’, për ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, e për kalendarin e nismave ligjore të lidhura me anëtarësimin, si edhe për ‘Majin e Europës’ dhe ritakimet e brezave në vigjilje të 35-vjetorit të Partisë Socialiste”, ka shkruar Rama në faqen e tij në Facebook.


