Nuk ka qetësi në Hormuz, goditet një tjetër anije cisternë

Bota

Nuk ka qetësi në Hormuz, goditet një tjetër anije

Një tjetër anije cisternë është goditur nga një predhë e paidentifikuar teksa po lundronte nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar plagosjen e dy pjesëtarëve të ekuipazhit.

Ngjarja është raportuar nga UKMTO, agjencia britanike që monitoron sigurinë e trafikut detar në rajon. Sipas informacionit të përcjellë nga autoritetet ushtarake, dy personat kanë pësuar dëmtime të lehta.

Pas incidentit, anija ka vijuar lundrimin në drejtim të portit më të afërt. Ndërkohë, UKMTO u ka bërë thirrje anijeve që kalojnë në këtë zonë të tregohen të kujdesshme dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.

Incidenti ndodh në një moment të tensionuar në marrëdhëniet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Një ditë më parë, kryetari i Parlamentit iranian dhe kryenegociatori i Teheranit, Mohammad Baqer Qalibaf, deklaroi se Irani u ka përcjellë përmes ndërmjetësve autoriteteve amerikane kushtet për përfundimin e bllokadës së Ngushticës së Hormuzit.

Qalibaf tha se kalimi detar nuk do të rikthehet në situatën e mëparshme derisa SHBA-ja të përmbushë kërkesat e Iranit.

Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret kryesore energjetike në botë, përmes së cilës para nisjes së konfliktit kalonte rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës dhe gazit.

ME TE LEXUARAT