Deklarata e fortë e analistit për Erdogan: Shqipërisë i ndërton xhami, ndërsa Serbisë i shton miliardat
Profesori universitar dhe analisti politik në Kosovë, Blerim Latifi, ka reaguar mbi inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, projekt ky i financuar nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.
Ai ka bërë një paralelizëm përsa i përket marrëdhënieve që vendet e Ballkanit kanë më Turqinë duke vendosur përballë marrëveshjet e fundit që kanë firmosur dhe peshën që ato kanë në ngritjen në nivel ekonomik e politik të vendit.
Në përmbledhje të fjalës së tij, Latifi ka thënë se Turqia është “tallur” me Shqipërinë duke restauruar godina të moçme osmane e ndërsa Serbisë po i shtohen miliardat me marrëveshjet dypalëshe që vendet kanë firmosur.
“N’Beograd Erdogani paska thanë se “marrëdhëniet e Turqisë me Serbinë janë në një epokë të artë”. Sigurisht, ky është termi më i saktë për të përshkruar faktin për miliarda investime që shteti turk ka bërë në Serbi, ndërsa marrëveshjet dypalëshe përfshijnë të gjitha fushat, përfshi edhe industrinë e armatimeve. Ndërkaq, shqiptarëve u ndërton xhami dhe investime në restaurime të objekteve të periudhës otomane. Një aforizmë e moçme thotë : Budallës mos i zbrit as teposhtë!”, ka shkruar Blerim Latifi në statusin e tij në Facebook.
Kujtojmë që ditën e djeshme gjatë takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, janë firmosur tre marrëveshje të rëndësishme në fushat e bujqësisë, arsimit si dhe krijimin e një Këshilli të Lartë bashkëpunimi.
Ndërsa në ditën e sotme Erdogan është takuar me homologun serb Aleksandar Vuçiç ndërsa kanë firmosur 11 marrëveshje bashkëpunimi në fushat si si energjia, tregtia, teknologjia, sporti, sigurimet shoqërore, menaxhimi i fatkeqësive dhe media