Darkë me Shkëlzen Berishën e Çim Pekën? Veliaj: E kisha në gjimnaz por as atëherë nuk bëheshim

Një deklaratë e gazetarit Ylli Rakipi se disa kohë më parë kishte parë në një restorant Shkëlzen Berishën, gazetarin Çim Peka dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe ka sjellë reagimin e këtyre të fundit.
Fillimisht ishte djali i ish-kryeministrit Berisha, i cili hodhi poshtë ato çfarë tha gazetari Rakipi në emisionin e tij.
“Në respekt të vërtetës dhe të opinionit me duhet të sqaroj se nuk jam takuar kurrë me personin në fjalë askund dhe asnjëherë.
Me Erion Veliajn me lidh vetëm neveria ndaj shpifjeve të adresuara nga ai ndër vite, ndaj meje, fëmijëve dhe familjarëve të mi”, shkruante Shkëlzen Berisha.
Lidhur me këtë lajm, ka reaguar sot edhe kryebashkiaku Veliaj, që gjithashtu e përgënjeshtroi një takim me djalin e ish-kryeministrit Berisha.
“Me Shkëlzen Berishën mund të jem shkëmbyer për herë të fundit kur kemi qenë gjimnazistë. Ai ishte një vit mbi mua. Që atëherë kam kuptuar se njeriu, që në adoleshencë fillon të kuptojë kush di të qeverisë keq dhe mirë.
Edhe atëherë, në shkollë, nuk përziheshim as në oborr pasi familja ishte damkosur që solli problemet me piramidat dhe shkatërrimin e vendit”, tha Veliaj.
Ai shtoi tha se shpifjet që shpërndahen në oborrin e selisë blu, janë faturë e asaj që ka mbjellë vetë Sali Berisha ndër vite.
“Nëse po shqyhen me njeri-tjetrin, atëherë mirë t’ju bëhet. Sepse vetë Saliu sajonte gjëra të tilla. Saliu vetë, gjatë fushatës së kaluar, tha se Erion Veliaj, në 1977-ën, dy vite para se të lindte, ishte bërë një kitarist i famshëm nga Kalifornia, kishte krijuar edhe një grup roku dhe kishte shkuar në Iran.
Pra, sipas tij, unë i kisha bërë gjithë këto mëkate para se të lindja. Parimi është: kush mbjell erë, do korrë stuhi. Saliu, Zeni dhe gjithë familja e tyre, dhe ajo vajza që vjen këtu te bashkia me molotov dhe thotë “lironi babin”, janë duke korrur atë që kanë mbjellë vetë”, deklaroi kryebashkiaku.


