Berisha u shfaq në krah të Fredi Belerit, Ardit Bido e pyet me ironi: Doktor na thuaj, Himara është minoritet grek apo jo?!

Kandidati për Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit për qarkun e Vlorës, Ardit Bido i është drejtuar me një pyetje Sali Berishës, pasi u fotografua krah Fredi Belerit në Bruksel.
“Doktor, me absurditete madhështore do ta bësh fushatën? Aleanca e Antishqiptarisë Madhështore foli përsëri, këtë herë me “zërin e madhështorit” Fredi Beleri. Dhe çfarë na tha? Që minoriteti grek në Himarë qenka i dëmtuar… ngaqë ai u ndalua të hyjë në Kuvend, pasi u kap duke blerë vota.
Po që kur drejtësia shqiptare u bë problem për minoritetin, doktor? Apo kur prek aleatët e tu?”, shkruan Bido.
Po ashtu Bido në Facebook shprehet se fushata e Berishës po dështon dhe se plani për Shqipërinë Madhështore është thjesht një fasadë.
“Ndaj, doktor, na e thuaj njëherë: është minoritet grek Nivica, Shën Vasili, Lukova, Piqerasi, Sasaj, Borshi, Çorraj, Fterra, Vunoi, Piluri, Kudhësi, Dhërmiu, Palasa? Apo thjesht për interesa elektoralë e bëni etninë me listë votimi? Doktor, do të na kthesh një përgjigje?
A janë minoritete greke edhe Kallarati, Kuçi, Tërbaçi, Bolena apo edhe vetë Himara? Nëse do të vazhdoni të luani me identitetin e qytetarëve, mos u çudisni kur ata t’ju përgjigjen jo si “grekë”, as si “shqiptarë”, por si njerëz me dinjitet, që nuk shiten!”.


