Berisha shpërthen ndaj Dumanit për çështjen Gëllçi: “Mashtrues ordiner, ekstremist i majtë me katër shtëpi!”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar për mashtrim në lidhje me çështjen e gazetarit Thoma Gëllçi. Në një deklaratë për mediat nga zyra e Partisë Demokratike, Berisha e cilësoi Dumanin si “një i pacipë me formim ekstremisti të majtë mizerabël”, që, sipas tij, ka dezinformuar publikun shqiptar dhe ka hedhur baltë edhe mbi Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Sipas Berishës, Dumani ka mashtruar kur ka pretenduar se Strasburgu ka marrë një vendim mbi bazën e një keqinformimi, duke thënë se Gëllçi nuk ishte dorëzuar, por ishte arrestuar. “Tani se kush është dorëzim dhe kush është arrestim, imagjinojeni vetë se çfarë mashtruesi ordiner kemi përballë”, deklaroi Berisha, duke cituar edhe avokatin e Gëllçit, i cili ka pohuar se klienti i tij kishte telefonuar vetë shefin e komisariatit për t’u dorëzuar.

Berisha theksoi se vendimet e Strasburgut merren vetëm pasi shqyrtohen me imtësi provat dhe dokumentet nga të dyja palët. “Është mashtrim i pashembullt të thuash se Strasburgu është dezinformuar. Ata i marrin me shkrim të gjitha përgjigjet për çdo pyetje që kanë”, u shpreh ai.
Kreu i opozitës nuk kurseu as sulmet personale, duke përmendur edhe pasurinë e kreut të SPAK. “I ndershëm? Me katër shtëpi dhe një rrogë shteti? A mund të imagjinoni ju dikë që blen tre shtëpi dhe të katërtën e ka tek vjehrri, ndërtuar në kushte të dyshimta?”, shtoi Berisha.
Deklarata e fortë e tij vjen pas tensioneve të rritura politike lidhur me veprimtarinë e SPAK dhe akuzave për selektivitet në ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë.


