Detaje nga arrestimi i Flodian Plakut! U kap në hotel me 43-vjeçarin me dy identitete. Çantë me euro, armë me fishekë dhe…

Flodian Plaku, i shumëkërkuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas, është kapur nga policia në një hotel në Orikum të Vlorës, më 3 gusht. Në momentin e ndalimit, 42-vjeçari me tre identitete (alias Florjan Serjani dhe Florjan Mamo) ishte i armatosur me një pistoletë, një krehër dhe 17 fishekë gati për qitje.
Në dhomën ku fshihej, u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu 25 mijë euro cash dhe 7 celularë, për të cilat dyshohet se janë përdorur për aktivitet kriminal.
Plaku është një emër i njohur për policinë dhe konsiderohet me rrezikshmëri të lartë. Ai është i dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale në Vlorë dhe jashtë saj, ndërsa për vrasjen e Bejtjas – ndodhur më 15 mars 2024 në Larushkë të Fushë Krujës – ndaj tij është dhënë masa “arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës që në korrik 2024.

Sipas hetimeve, Plaku dhe bashkëpunëtorët e tij kanë mbërritur te banesa e viktimës me një makinë tip “Land Rover”. Pas ekzekutimit, janë larguar drejt fshatit Hasan, ku kanë djegur automjetin për të humbur gjurmët.
Gjatë ndërhyrjes policore në hotel u arrestua edhe 43-vjeçari Julian Aliaj, i njohur me emrin tjetër Julian Pashaj. Edhe atij iu gjet një pistoletë me fishekë.
Në pranga ranë edhe tre shtetas të tjerë: A. L., 36 vjeç; A. D., 31 vjeç; dhe L. D., 57 vjeç. Ata akuzohen për “Përkrahje të autorit të krimit”, pasi kishin ndihmuar Plakun për strehim, lëvizje dhe komunikim gjatë kohës që fshihej.
Policia ka deklaruar se hetimet vijojnë për të identifikuar të tjerë të përfshirë në ngjarje dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e vrasjes së Gentjan Bejtjas.


