Berisha sulmon ministrin Igli Hasani: “Narko-ministri, avokat i farsës së 11 majit”

Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, të cilin e ka quajtur “narko-ministri” dhe “ushtar i Edi Ramës”. Sipas Berishës, veprimi i Hasanit për t’i dërguar një letër misioneve ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit për zgjedhjet e 11 majit është provë se në Shqipëri partia dhe shteti janë bërë një.
“Në asnjë vend të lirë, një ministër i Jashtëm nuk bëhet palë me partinë në pushtet për të legjitimuar një farsë elektorale. Një letër të tillë mund ta dërgonte vetëm opozita, por kurrë qeveria, nëse do të kishte standarde”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi reagimin e Hasanit si një akt të papërgjegjshëm dhe e akuzoi se, njësoj si kreu i SPAK, Altin Dumani, është “avokat i këtij krimi të shëmtuar elektoral”.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi gjithashtu institucionet ligjzbatuese për përndjekje të opozitës. Ai përmendi rastin e deputetit Asllan Dogjani, që sipas tij po ndiqet pa bazë ligjore, si dhe përmendi një hetim të hapur ndaj aktivistit të PD-së, Shkëlqim Hoxha, për organizimin e ardhjes së votuesve në Rrogozhinë gjatë zgjedhjeve të 2023.
“Gjithçka po bëhet për të mbuluar farsën elektorale dhe për të shtypur opozitën,” përfundoi Berisha.


