Mashtronte gra me identitet të rremë për t’u marrë para, bie në pranga 21-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 21-vjeçar, i cili akuzohet se ka mashtruar disa qytetarë përmes përdorimit të një identiteti të rremë, me qëllim përfitimin e shumave të ndryshme parash.
Operacioni policor i koduar “Strategjia” u finalizua pas kallëzimit të një 26-vjeçareje, e cila kishte rënë më herët pre e mashtrimit nga ky shtetas dhe i kishte dorëzuar disa herë shuma parash. Pikërisht në momentin që mashtruesi shkoi për të marrë një shumë tjetër, u arrestua në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2.
I arrestuari është identifikuar si E. H., 21 vjeç, banues në Paskuqan.
Sipas hetimeve paraprake, ai përdorte identitet të rremë për t’u prezantuar para viktimave dhe për të fituar besimin e tyre, me qëllim përfitimin e parave.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbuluar raste të tjera të mundshme të mashtrimeve të kryera nga i riu.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.


