Avokatët e Veliajt kërkojnë zgjatje afati për njohjen me provat: ‘Përmbytje dokumentare’ dhe abuzim me të drejtën e mbrojtjes

Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i kanë drejtuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkesën për zgjatjen e afatit për njohjen me materialet hetimore në çështjen ku ai akuzohet.
Ata kërkojnë që afati aktual prej 10 ditësh të shtyhet deri në 24 shtator 2025, duke argumentuar se volumi jashtëzakonisht i madh i dosjes i bën të pamundur përgatitjen efektive të mbrojtjes brenda periudhës së shkurtër ligjore.
Në kërkesën e tyre avokatët theksojnë se:
• Për 10 ditë nuk është e mundur as leximi i thjeshtë i materialeve pa analizë të thelluar profesionale.
• Prokuroria ka pasur në dispozicion dy vite për hetime, ndaj nuk është e drejtë që Veliajt t’i mohohet një periudhë e mjaftueshme për mbrojtje.
• Kjo gjendje përbën një “përmbytje dokumentare” dhe është abuzim struktural me të drejtën e mbrojtjes, duke cenuar në mënyrë të thellë parimet e procesit të rregullt ligjor dhe barazisë së armëve.
• Situata rëndohet edhe nga fakti që periudha e gushtit është me aktivitet të reduktuar për institucionet e drejtësisë dhe avokatët.
Avokatët argumentojnë se zgjatja e afatit nuk dëmton interesin publik për ndjekjen penale, por përkundrazi forcon garancitë kushtetuese të mbrojtjes së të akuzuarit dhe procesit ligjor në përgjithësi. Kërkesa e tyre shkon paralelisht me vendimin e prokurorëve për të përfunduar hetimet më 24 korrik 2025.


