Plani i Kinës për të shkatërruar asteroidet që i afrohen Tokës, shpërthim bërthamor 200 herë më i fuqishëm se bomba e Hiroshimës

Shkencëtarët kinezë kanë propozuar një plan ambicioz për mbrojtjen e Tokës nga asteroidët që mund të përbëjnë kërcënim për planetin.
Ndryshe nga skenarët e filmave fantastiko-shkencorë, projekti synon përdorimin e sondave hapësinore dhe një shpërthimi bërthamor të kontrolluar për të shkatërruar asteroidin përpara se ai të afrohet me Tokën, shkruajnë mediat.
Sipas gazetës South China Morning Post, plani është hartuar nga studiues të China Rocket Research Institute në Pekin dhe konsiderohet pjesë e strategjisë së Kinës për forcimin e mbrojtjes planetare.
Sipas projektit, misioni do të realizohej në dy faza.
Sonda e parë do të godiste asteroidin për të hapur një krater të madh në sipërfaqen e tij. Më pas, një sondë e dytë do të vendoste në atë krater një bombë bërthamore, e cila do të shpërthente asteroidin nga brenda.
Shkencëtarët vlerësojnë se shpërthimi do të kishte një fuqi prej rreth tre megatonësh, e barabartë me afro 200 bomba atomike të Hiroshimës.
Sipas tyre, kjo metodë do të ishte më efektive për asteroidët me përmasa të mëdha ose për ata që zbulohen vetëm pak kohë para se të afrohen me Tokën.
Plani kinez vjen pas suksesit të misionit DART të NASA-s në vitin 2022, kur një sondë u përplas qëllimisht me asteroidin Dimorphos për të ndryshuar trajektoren e tij.
Vitet e fundit, Pekini ka shtuar investimet në programet e mbrojtjes nga asteroidët.
Në fund të qershorit, autoritetet kineze prezantuan planet për krijimin e një rrjeti kombëtar të paralajmërimit të hershëm për asteroidët, ndërsa që prej vitit 2018 Kina është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Paralajmërimit për Asteroidët (IAWN) dhe Grupit Këshillimor për Planifikimin e Misioneve Hapësinore (SMPAG).
Në vitin 2022 u krijua gjithashtu Laboratori për Eksplorimin e Hapësirës së Thellë (DSEL), i drejtuar nga inxhinieri i njohur hapësinor Wu Weiren, një nga arkitektët kryesorë të programit kinez të eksplorimit të Hënës.


