6 vite në krye të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Bregu mesazh lamtumire: E kisha synimin e qartë

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, mbylli një epokë të rëndësishme pas 6 vitesh në këtë post.
Ajo me anë të një video-mesazhi ka rreshtuar disa nga sfidat që synonte dhe ka arritur në detyrën për të afruar Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Europian.
Ajo shprehet se e nisi këtë udhëtim në 2019 me vizionin e qartë: “për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor më pranë njëri-tjetrit dhe më pranë Europës”.
Bregu renditi disa nga arritjet gjatë mandatit të saj, ndër të cilat eliminimi i tarifave roaming, lëvizje që reduktoi deri në 97% tarifat telefonike me BE-në; korridoret e gjelbra gjatë pandemisë, një shpëtim për tregtinë rajonale dhe zinxhirët e furnizimit; njohja e diplomave dhe profesioneve, lehtësi për studentët dhe profesionistët e Ballkanit Perëndimor.
Postimi i plotë:
Udhëtimi im drejt #RCC @regionalcooperationcouncil_rcc nisi në 2019 me një vizion të qartë: për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor më pranë njëri-tjetrit dhe më pranë Europës. Ka qenë më energjik e më sfidues se sa mund të kisha imagjinuar.
Përpjekja për arritje konkrete, nxitja e frymës së bashkëpunimit në një rajon që historikisht është orientuar drejt konfliktit dhe mbajtja ndezur e dritës së shpresës për integrimin në BE gjatë pandemisë apo edhe në momentet kur fjala zgjerim nuk përmendej, – ishin vetëm disa prej tyre.
Sot, kthej kokën pas me krenari duke parë se sa gurë kemi lëvizur. Pas 6 vitesh mund të them me bindje se asnjëherë më parë ky rajon nuk ka qenë kaq i vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit sa ç’është sot.
Në një botë ku e vetmja siguri është pasiguria, bashkëpunimi është jetik! Për të gjithë ata që më mbështetetën në të mirë e në të keq gjatë gjithë këtij udhëtimi,FALEMINDERIT.
Mirupafshim!
Vidimo se!
Goodbye!


