Policia gjuan me gurë protestuesit pranë selisë së PS-së

‘Beteja’ mes policisë dhe protestuesve ka qenë e ashpër, veçanërisht pranë selisë të Partisë Socialiste. Protestuesit janë përleshur me efektivët pranë selisë të PS-së.
Një moment i paprecedent është shënuar gjatë përplasjes mes palëve. Efektivët kanë hedhur gurë në drejtim të protestuesve. Policia mbrojti selinë e PS-në, duke mos lejuar që ajo të preket.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje prindërve të tregojnë kujdes për fëmijët e tyre, pas pjesëmarrjes së një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit.
Në një deklaratë për mediat, policia shprehet se në disa raste të miturit janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar ndaj sendeve të forta, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.
Uniformat blu u bëjnë thirrje prindërve të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve, veçanërisht në rastet kur ata mungojnë në shkollë, duke theksuar se siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët.
Policia shpreh gjithashtu shqetësimin për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve, për qëllime të caktuara.
Sipas saj, çdo rast i dyshuar i nxitjes apo shfrytëzimit të fëmijëve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente.
“Fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.


