Bojkoti i avokatëve, GJKKO cakton avokatë të Ndihmës Juridike Falas për Metën e Kryemadhin

Politikë

Bojkoti i avokatëve, GJKKO cakton avokatë të Ndihmës
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të enjten më 15 tetor, që në seancën e ardhshme të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, për arsye të bojkotit të avokatëve, të vijohet me avokatët e zyrës së Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë. Vendimi i gjykatës bazohet në pikën 7 të nenit 49 të Kodit të Procedurës Penale, ku përcaktohet se, “kur mbrojtja nuk mund të sigurohet sipas kësaj dispozite dhe pikës 3, të nenit 49, mbrojtja garantohet nga institucionet që administrojnë ndihmën juridike falas, sipas legjislacionit në fuqi”.

Megjithëse avokatët e Metës dhe Kryemadhit ishin të pranishëm në seancë, ata qëndruan në vendet dedikuar publikut dhe nuk i përfaqësuan të mbrojturit prej tyre, në vijim të bojkotit të seancave, sipas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Gjykata konstatoi se, megjithëse avokatët kanë shprehur dëshirën për të vijuar procesin, ata kanë refuzuar të përfaqësojnë të pandehurit. Për këtë arsye u caktua gjobë në masën 10 mijë lekë për secilin prej avokatëve.

Prokurori Sotir Kllapi konstatoi pamundësinë e vijimit të gjykimit për shkak se të pandehurit kishin mbetur pa mbrojtës.

Ndërsa Meta e cilësoi ngërçin e krijuar kriminal e të orkestruar nga kryeministri Edi Rama dhe akuzoi Presidentin, Kuvendin dhe KLGJ-në për mosveprim për të gjetur një zgjidhje. Ai shtoi se Partia e Lirisë i ka përcjellë Kuvendit një projektligj për ti dhënë fund rrethanave që Dhoma e Avokatisë të veprojë si një sindikatë. Meta vërejti se nuk mund të konstatonte se cila kishte të drejtë, GJKKO apo Dhoma e Avokatisë, por shprehu habi se përse kjo e fundit nuk kishte kryer asnjë veprim aktiv.

Meta kërkoi të vijohet gjykimi duke u shprehur se është i aftë të mbrohet vetë. “Unë jam dakord me atë që kërkoi prokurori Altin Dumani në një gjyq tjetër, që të vijohet pa avokat”, tha Meta.

Edhe Kryemadhi e cilësoi situatën e krijuar në GJKKO si një strategji për të favorizuar trafikantët e drogës, që të mos realizohen masat e sigurimit personal. Nga ana tjetër, ajo solli në vëmendje se ka të drejtën për t’u mbrojtur.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues konstatoi faktin se Meta e Kryemadhi kanë mbetur pa mbrojtës, që është detyrues në procesin penal. Kryesuesi i trupit gjykues, Erion Bani deklaroi se gjykata ka çmuar të caktojë avokat nga zyra e Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë. Po ashtu, u vendos pezullimi i afateve të paraburgimit për të pandehurin Ilir Meta.

Kryemadhi pyeti gjykatën se si do veprohet nëse nuk paraqitet as avokatja e caktuar së fundmi, por kryesuesi Bani solli në vëmendje se rrethana të tilla janë të zgjidhura nga praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

I pandehuri Ilir Meta vërejti se është gati të vijojë dhe pa avokat mbrojtës dhe kërkoi ndarjen e çështjes. Megjithatë, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më 22 tetor, në orën 10:00.

SPAK e akuzon Metën për aferën CEZ-DIA dhe të dy të pandehurit për kontratën e lobimit të LSI-së në SHBA, ndikimet për llogari të biznesmenit Samir Mane e të Adrian Shatkut në këmbim të favoreve, pamundësinë financiare për blerjen e dy apartamenteve në ish-bllok e mosdeklarimin e shpenzimeve – akuza që janë kundërshtuar nga Meta e Kryemadhi si të pabazuara e të inskenuara nga kundërshtarët politikë.

Tre ditë më parë, gjykata caktoi avokatë nga zyra e Ndihmës Juridike Falas edhe për kryebashkiakun Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë të akuzuar për korrupsion e pastrim parash në atë çështje penale./BIRN 

ME TE LEXUARAT