"Pensionistët flasin pa doreza më 1 Tetor: 'Nuk mbulojmë dot ilaçet, hamë bukë thatë

1 Tetori, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, synon të sjellë në vëmendje nevojat dhe problematikat me të cilat përballet kjo kategori. Por të moshuarit në Shqipëri ndeshen me një realitet të vështirë.
Pensionistët shkodranë shprehen të shqetësuar për pensionet e ulëta dhe rritjen e kostos së jetesës, teksa kërkojnë më shumë vëmendje dhe mbështetje nga institucionet. Ata kritikojnë edhe mënyrën e qeverisjes së vendit.
Për pensionistë në Shqipëri, realiteti i përditshëm mbetet i vështirë. Në Shkodër, ata shprehen të pakënaqur me nivelin e pensioneve, rritjen e çmimeve dhe kostot e jetesës, të cilat, sipas tyre, e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve bazë.
Krahas problematikave ekonomike, disa pensionistë shprehin edhe pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit.
Mes pensioneve të kufizuara dhe kostos së lartë të jetesës, pensionistët kërkojnë që nevojat e tyre të mos mbeten vetëm pjesë e diskutimit të një dite simbolike, por të jenë në fokus të politikave sociale gjatë gjithë vitit.
Në Korçë, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve më mirë mund të quhet “Dita e të Mohuarve”, pasi ata trajtohen pa dinjitet dhe pensionet e tyre, së bashku me rritjen e tyre, janë qesharake.
“Për mua është pak. Kam punuar shumë vite dhe marr pak. As çerekun e shpenzimeve nuk e mbuloj, as ilaçet e mia, as ilaçet e gruas. Rrojmë si të rrojmë,” – tha një pensionist.
“Pensioni ynë është shumë i ulët. Parlamentarët duhet t’i djegin karriget për ne pensionistët; ishte një tjetër gjë kur e bënin për rrogat e tyre, 4.1%,” – tha një tjetër i moshuar.
“Kur ke punuar një jetë dhe në vitet e fundit nuk arrin dot që kontributet të të vlejnë për të ushqyer veten, do të hash bukë thekër (ose bukë thatë),” – tregon një tjetër pensionist.
“Çfarë të marr unë? Ilaçet, ujin, dritat… Më jep ti, ma bëj 200 lekë pensionin ta ha me gjellë. Dhe e ha thatë,” – shprehet një pensionist.
Në qarkun e Korçës jetojnë afro 48 mijë pensionistë, të cilët nuk marrin të ardhura të mjaftueshme për të përballuar jetën.
Ata kërkojnë që të ndërtohen edhe qendra ditore, pasi lokalet ku mund të qëndrojnë përbëjnë shpenzime ekstra për ta.


