Nga skena direkt në sallën e operacionit, Rovena Ibrahimi: Më thonin mos të vazhdoja, por ....

Për një artiste, skena nuk është thjesht vendi ku performon, por një pjesë e pandashme e jetës. Këtë e dëshmon edhe Rovena Ibrahimi, e cila ishte pjesë e rubrikës “Si nis dita e…” në emisionin “Shije Shtëpie” këtë të hënë, më 25 shtator.
Ajo pohoi se dita e saj nis në teatrin “Petro Marko”, në qytetin e Vlorës. Teksa u shpreh mbi emocionet e skenës dhe dashurisë për publikun, ajo rrëfeu se edhe gjatë një episodi jo të mirë shëndetësor, ajo e vazhdoi shfaqjen, edhe pse ndjente dhimbje, sepse ndjesia e përgjegjësisë në skenë është shumë e fortë tek ajo.
Më kujtohet tani një moment që kemi qenë gjatë shfaqjes, unë kisha dy debutime në dy momente të ndryshme dhe pasi bëra pjesën e parë nuk po ndihesha mirë. Kisha djersë të ftohta dhe po filloja të lexohesha. Kolegët e mi e kuptuan dhe më thoshin ‘po ti nuk je mirë’ dhe unë i thoja ‘jo, jam shumë mirë’, ndërkohë që kisha dhimbje dhe nuk e di dhe vetë se si ia kam dalë.
Në një moment më thonë që të shkoja në spital, sepse isha zverdhur e tëra, por unë isha e vendosur të bëja dhe debutimin tjetër dhe të ikja. Kam bërë dhe daljen e dytë dhe kam shkuar të operohesha nga apendiciti në mënyrë të menjëhershme.”
Ajo theksoi se periudha e pandemisë ka ndikuar te ndjesitë e saj si artiste, pasi mungesa e shfaqjeve, koncerteve dhe e duartrokitjeve të publikut i munguan, teksa e konsideron artin e saj si pjesë jetike, pa të cilën nuk bën dot.
“Muzika për mua është si ushqimi që merr përditë. Nëse ti nuk merr energjinë e këngës e të punuarit dhe të publikut… unë këtë gjë e kam ndjerë gjatë pandemisë, periudha e parë u kalua, por kur filloi viti i dytë, me të vërtetë që e shikoje situatën keq, sepse të mungonte përballja me publikun, të mungonte duartrokitja.”
Teksa foli për magjinë e duartrokitjeve të publikut, ajo veçoi spektatorin e saj të vogël, djalin e saj, si një nga ndjekësit e zjarrtë të shfaqjeve të saj.
“Nëpër shfaqje sigurisht që vjen dhe spektatori më i zjarrtë, por edhe që më prek më shumë është pikërisht ai, sepse është nga ata fëmijët që ta bën me dorë dhe kur vjen në shtëpi thotë ‘po pse s’më fole ti mua?’, kështu që duhet t’i flas patjetër.”
Rovena Ibrahimi pohoi se si një vajzë deti, lidhjen e fortë me detin në shëtitjet e saj në Vlorë e reflekton vazhdimisht teksa është vetëm apo edhe në shoqërinë e djalit të saj.


