Në vend të “Tajvanit” do ngrihet një kullë! Bjarke Ingels Group do ndërtojë “Tirana Fountaine Tower”

Aktualitet

Në vend të “Tajvanit” do ngrihet një kullë!

Në vend të godinës private të kompleksit “Tajvani” në parkun “Rinia” parashikohet të ngrihet një kullë e re me emrin “TIRANA FOUNTAIN PLAZA”.

Studioja e njohur daneze “Bjarke Ingels Group” u shpall fituese e garës ndërkombëtare arkitekturore sot më 1 tetor, ku në garë ishte me pesë kompani të tjera prestigjioze, përpara një jurie me ekspertë të huaj.

Kujtojmë se sot, kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e pesë projekteve të paraqitura në kuadër të konkursit ndërkombëtar për rikonceptimin dhe zhvillimin e “Tirana Fountain Tower”.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se projekti synon transformimin e një prej hapësirave historike të kryeqytetit, duke e përshtatur me nevojat dhe ambiciet e Tiranës.

Po ashtu, theksoi se bëhet fjalë për një sipërmarrje private dhe se përzgjedhja e projektit po bëhet përmes një konkursi ndërkombëtar me pjesëmarrjen e arkitektëve dhe profesionistëve të njohur.

“Sot ne rikthehemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë, kur vjen puna te zhvillimi i projekteve me rëndësi të veçantë, të cilat tani prej vitesh në Shqipëria, ua besojmë profesionistëve me profile dhe karriera të veçanta, të ndërtimit të objekteve që kanë një impakt me rëndësi për qytetet dhe zonat tona. Faktikisht sot ne jemi këtu për të adresuar zhvillimin e një prone ku siç e patë edhe nga filmi në krye të herës, u ngrit një park, dhe më pas po aty u ngrit edhe një ndërtesë. E cila është nga të paktat ndërtesa në kohën e komunizmit.

Ku takoheshin jo për mbledhje, jo për punë, por për të kaluar kohën e lirë. Erdhi koha kur ndenja ulur me shoqërinë, u bë jetë e përditshme e shoqërisë. Tajvani u kthye në një ngrehinë për shumë njerëz dhe shumë shërbime. Objekti kryesor për ata që i administrojnë është që të mbajë sa më shumë njerëz ulur dhe t’i lërë pa punë. Këtu sot jemi për një zhvillim tjetër të asaj godine, për të mundësuar ambiciet e atij qyteti. Jemi praktikisht në një kohë kur nevojat dhe ambiciet janë shumë të mëdha. Ky është një projekt i një sipërmarrje private në një zonë private. Po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar, se cila do të jetë mënyra se si do të rikonceptohet dhe rizhvillohet Tajvani. Me arkitektët që i janë vënë në dispozicion kësaj zgjedhjeje do të bëjmë më të mirën e mundshme të asaj prone, por edhe të kryeqytetit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se procesi duhet të sjellë një zhvillim me ndikim për kryeqytetin dhe të ardhmen e tij. Kreu i qeverisë theksoi se në Shqipëri nuk ndërtohet pa rregulla dhe se projektet private nuk janë shoqëruar me nxjerrje me forcë të banorëve nga shtëpitë.

Rama deklaroi gjithashtu se ndërtimi i kullave kërkon ekspertizë të specializuar dhe se konkursi synon të sjellë në Shqipëri arkitekturë dhe përvojë ndërkombëtare.

Një arkitekturë e ngritur mbi hapësirën e parkut

Studioja daneze BIG – Bjarke Ingels Group ka prezantuar një koncept arkitektonik që vendos një strukturë të madhe mbi hapësirën e Parkut Rinia, duke synuar që pjesa më e madhe e sipërfaqes së gjelbër të mbetet e lirë dhe e përdorshme nga qytetarët.

Ideja kryesore e projektit lidhet me imazhin e një “reje” të vendosur mbi park. Funksionet e ndryshme, si banimi, puna dhe shërbimet, organizohen në volume të ngritura nga toka. Kjo zgjidhje krijon poshtë ndërtesës një hapësirë të mbrojtur, me hije dhe zona të destinuara për qëndrimin dhe aktivitetet publike. Në këtë mënyrë, projekti synon të krijojë edhe një lidhje të re mes Parkut Rinia dhe pjesës urbane përreth.

Një element i rëndësishëm i konceptit është uji, i cili ruhet si pjesë e karakterit të parkut, por merr një funksion dhe trajtim të ri. Sipas propozimit, uji do të qarkullojë përmes strukturës së ndërtesës dhe më pas do të rikthehet në park në formën e pikave të imëta, duke krijuar efektin e një “shiu veror”. Kjo zgjidhje është menduar jo vetëm si element vizual, por edhe si mënyrë për të ndikuar në temperaturën e ambientit dhe për ta bërë hapësirën publike më të rehatshme gjatë periudhave të nxehta.

Në konceptin e BIG, parku shihet si një pikë ku bashkohen gjelbërimi, uji dhe jeta sociale. Ndërhyrja arkitekturore synon të shtojë funksione të reja në këtë zone, pa zgjeruar gjurmën e ndërtimit në sipërfaqen e parkut.

Përveç funksionalitetit, projekti synon të krijojë edhe një element të ri dallues në panoramën urbane të Tiranës. Identiteti i tij nuk do të mbështetet thjesht te lartësia e ndërtesës, por te forma e veçantë dhe marrëdhënia që krijon me hapësirën publike.

Programi i propozuar përfshin disa kategori përdorimi, duke kombinuar apartamente, ambiente hotelerie dhe zyra. Një pjesë e hapësirave, rreth 10% e programit të përgjithshëm, është parashikuar për aktivitete kulturore dhe funksione të aksesueshme nga publiku.

ME TE LEXUARAT