Ndryshimi i orës – Të dielën akrepat kthehen 60 minuta prapa, këshillat si të përshtateni me kohën e re

Të dielën e fundit të tetorit, akrepat kthehen pas 60 minuta. Ndërrimi i orës do të ndodhë më 25 tetor kur të gjithë do të flemë 1 orë më shumë. Dielli do të lindë më herët në mëngjes, por edhe do të perëndojë më shpejt duke bërë që pasditet të jenë më të shkurtra dhe më të errëta.
Çdo vit, akrepat kthehen një orë prapa në orën 2 të mëngjesit të së dielës së fundit të tetorit. Falë celularëve smartphone, ndërrimi i orës bëhet në mënyrë automatike.
Pavarësisht diskutimeve të vazhdueshme, nuk ka shenja se ndërrimi sezonal i orës do të hiqet së shpejti.
Si ta menaxhojmë ndryshimin e orës?
Filloni të “stërviteni” për ndryshimin e orës, para se akrepat të shkojnë një orë pas në mënyrë që të përshtateni shpejt me kohën e re.
Bëni sa më shumë ecje në natyrë që të ekspozoheni sa më shumë në dritën e ditës gjatë gjithë fundjavës, pasi drita është ajo që rregullon orën tonë biologjike.
Shmangni dremitjet e pasdites, të paktën derisa të mësoheni me kohën e re.
Përpiquni të përmirësoni ndriçimin e ambienteve shtëpiake, duke hapur grila dhe perde gjatë ditës dhe duke përdorur dritat artificiale.
Gjithashtu mund të vendosni edhe llamba të posaçme që përdoren për të ashtuquajturën terapi me dritë, të afta për të prodhuar frekuenca të veçanta drite që nuk të shqetësojnë shikimin, por që janë në gjendje të nxisin ribalancimin biokimik të brendshëm të orës sonë.
Kryeni aktivitet fizik për përmirësimin e humorit dhe për t'u larguar nga monotonia
Ndryshimi i orës në Evropë u vendos si ligj evropian në vitin 1981. Zhvendosja e akrepave në Europën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ‘70-ta me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.


