'Po na përndjekin civilët e policisë dhe SHISH', aktivistja paralajmëron kallëzimin në SPAK

Aktivistja Alisa Braho ka denoncuar përmes një postimi në rrjetet sociale se është ndjekur mbrëmjen e kaluar nga tre efektivë civilë, teksa ndodhej me disa aktivistë të përfshirë në protestë.
Ajo pretendon se u detyrua të strehohej në një ambient privat në ish-Bllok, derisa u largua prej andej me ndihmën e një gazetari dhe operatorit të tij.
Braho deklaron se pamjet që disponon do t’ia dorëzojë Prokurorisë dhe SPAK-ut, ndërsa u bën thirrje aktivistëve të dokumentojnë çdo rast të ngjashëm.
“Nëse mua ose dikujt tjetër prej protestuesve na ndodh diçka, Edi Rama është përgjegjës!”, shkruan aktivistja, duke akuzuar civilë të Policisë së Shtetit dhe të SHISH-it për përndjekje.
Postimi i plotë:
Civilë të Policisë së Shtetit dhe të SHISH që mbrojnë bandat po përndjekin aktivistet vajza, qytetarët po na hapin dyert!
Mbrëmë tre efektivë civilë më kanë pëndjekur mua teksa isha me disa aktivistë që jemi aktivë në protestë. U detyrova të strehohem në një ambient privat në ish Bllok deri sa një koleg gazetar bashkë me operatorin e tij më larguan nga aty. Unë nuk trembem, pamjet që kam do ti dorëzoj në prokurori dhe në SPAK bashkë me avokatin tim.
Ftoj aktivistët të denoncojnë çdo rast përndjekje dhe ti dokumentojnë. Lëvizni në grupe dhe mbani telefonat hapur.
Për çdo rast njoftono me telefon mediat ose gazetarët e moderatorët që njihni. Ne nuk ka trembin. Dyert e bizneseve dhe të qytetarëve të Tiranës janë të hapura për ne. Ne do jemi aty përditë edhe më shumë.
Nëse mua ose dikujt tjetër prej protestuesve na ndodh diçka: EDI RAMA është përgjegjës!


