Muzeu Hebraik në Vlorë, qytetarët rikthehen në protestë: Të ndalet përfundimisht projekti

Aktivistë dhe qytetarë të Vlorës kanë protestuar sërish këtë të shtunë kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik në qendrën historike të qytetit, në zonën e Muradies.
Ata kundërshtojnë vijimin e punimeve, duke kërkuar ndalimin përfundimtar të projektit dhe rikthimin e hapësirës në gjendjen e mëparshme.
Sipas aktivistëve, ndërtimi i muzeut në këtë zonë cenon identitetin historik dhe kulturor të qytetit. Gjatë protestës, ata kanë drejtuar kritika ndaj Avokatit të Shtetit, të cilin e akuzojnë për përdorimin e parave të taksapaguesve në mbështetje të një projekti që, sipas tyre, bie ndesh me interesat e qytetarëve të Vlorës.
Një tjetër kërkesë e protestuesve i drejtohet Gjykatës Administrative, ku më 11 nëntor pritet të zhvillohet seanca e radhës lidhur me këtë çështje.
Aktivistët dhe qytetarët kërkojnë një vendim në favor të ndalimit të punimeve, duke theksuar se do të vijojnë protestat deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës.
Kundërshtimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik në qendrën historike të Vlorës vijojnë prej disa muajsh. Aktivistët dhe qytetarët shprehen të vendosur të mos tërhiqen nga kërkesat e tyre, duke këmbëngulur në ruajtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore të qytetit.


