Makinat "lundrojnë" në ujërat e Elbasanit, reshjet e shiut shkaktojnë dëme të konsiderueshme

Reshjet e shiut gjatë natës dhe orëve të paradites së të premtes kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Qarkut të Elbasanit.
Uji ka përfshirë sipërfaqe të tokave bujqësore, segmente rrugore, si dhe fushën e futbollit ku zhvillon ndeshjet ekipi i Sopotit të LibrazhditSipas informacionit zyrtar të datës 27 nëntor 2026, të përcjellë nga strukturat e emergjencave civile, situata në qark paraqitet përgjithësisht normale dhe deri më tani nuk raportohen problematika me pasoja të rënda apo raste që kërkojnë ndërhyrje emergjente.
Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga terreni tregojnë për grumbullime uji dhe përmbytje në disa zona, kryesisht në Librazhd. Problematikat janë konstatuar në Kthesat e Murrashit, Kthesat e Dragostunjës, si dhe në zonat e Hotolishtit dhe Xhyrës.
Përveç tokave bujqësore dhe segmenteve rrugore, uji ka përmbytur edhe fushën e futbollit të Sopotit të Librazhdit, duke vështirësuar zhvillimin normal të stërvitjeve dhe aktiviteteve sportive në këtë impiant.
Sipas autoriteteve, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit dhe nuk kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Strukturat e emergjencave civile në bashkitë e qarkut vijojnë monitorimin e situatës dhe mbeten në komunikim me institucionet përgjegjëse.
Vëmendje e veçantë po i kushtohet segmenteve rrugore ku prania e ujit mund të vështirësojë qarkullimin e automjeteve, si dhe zonave ku janë evidentuar përmbytje të tokave bujqësore.

