Lista, 10 kompanitë më të mëdha në vend, VIP-at e 2025-s: Ekonomia që nuk po krijon as vlerë, as punësim

Roli themelor i një ekonomie është të krijojë vlerë. Shteti vendos rregullat dhe garanton konkurrencën dhe e kufizon pjesëmarrjen e tij direkte në ekonomi, bizneset investojnë, punësojnë, përmirësojnë produktivitetin dhe inovojnë, ndërsa vlera e krijuar shpërndahet në paga dhe fitime, të cilat ushqejnë më pas konsumin dhe investimet e reja.
Është një cikël që, kur funksionon, zgjeron kapacitetet prodhuese dhe rrit mirëqenien në mënyrë të qëndrueshme.
Në Shqipëri, ky mekanizëm po funksionon gjithnjë e më dobët. Ekonomia është rritur në tre vitet e fundit, por struktura e saj po zhvendoset drejt aktiviteteve që gjenerojnë qarkullim të lartë, pa krijuar në të njëjtën masë punësim, produktivitet dhe kapacitete të reja prodhuese.
Tregtia dhe ndërtimi vijojnë të kenë peshën kryesore, investimet e reja po përqendrohen po në ndërtim, apo edhe në energjinë diellore, një sektor intensiv në kapital, por me pak ose aspak nevojë për fuqi punëtore, ndërsa industria po humbet gradualisht terren. Turizmi po mbështet konsumin dhe hotelerinë, por ende nuk ka prodhuar kompani me përmasat e atyre që të renditen lart në Listën e “Monitor 200”.
Në të njëjtën kohë, tregu i punës është shtrënguar dhe pagat po rriten më shpejt se produktiviteti, duke shtuar kostot e sipërmarrjeve që prodhojnë dhe punësojnë. Mjedisi bëhet edhe më i vështirë për bizneset që konkurrojnë vetëm në treg, pa lidhje me koniunkturat shtetërore.
Hetimet e SPAK-ut kanë nxjerrë në pah raste ku kompani me qarkullim të lartë akuzohen se janë përdorur për kanalizimin e parave informale apo të korrupsionit, duke deformuar më tej konkurrencën.
Ekonomia ka hyrë në një ngërç, ku qarkullimi dhe konsumi rriten, por baza që duhet të krijojë vlerë të re, punësim dhe produktivitet po zgjerohet shumë më ngadalë, me industrinë që po shuhet gradualisht, duke rrezikuar ta kthejë vendin në një supermarket të madh, që mbahet me importe.
Paradoksi
Ekonomia ka hyrë në një ngërç, ku qarkullimi dhe konsumi rriten, por baza që duhet të krijojë vlerë të re, punësim dhe produktivitet po zgjerohet shumë më ngadalë, me industrinë që po shuhet gradualisht, duke rrezikuar ta kthejë vendin në një supermarket të madh, që mbahet me importe.
Edhe kriza demografike është kthyer gradualisht në një krizë ekonomike. Problematika e mungesës së fuqisë punëtore sa vjen e po thellohet, duke ndikuar si produktivitetin, ashtu dhe planet e sipërmarrjeve për investime e zgjerime të mëtejshme.
Censi i fundit i INSTAT-it i vitit 2023, gjeti se ka 420 mijë persona më pak se në vitin 2011. Tendenca ka vijuar të përkeqësohet. INSTAT-i vlerësoi se në 1 janar 2026, popullsia kishte zbritur në 2.33 milionë banorë.
Në krahasim me vitin 2001, vendi ka parë një tkurrje të popullsisë me rreth 700 mijë persona, me rënie prej 23%. Për një ekonomi të vogël, që tkurret me gati një të pestën në 25 vjet, kjo sjell pasoja të rënda si në gjetjen e fuqisë punëtore, kryesisht të të rinjve, ashtu dhe në konsum, me këtë të fundit që i ka mbetur shpresa e rigjallërimit te turizmi.
Emigracioni neto (diferenca mes personave që ikin dhe atyre që kthehen) është thelluar në 2021-2025, me mesatarisht 30 mijë persona që i ikin Shqipërisë në vit, cikli me më shumë largime të paktën që nga viti 2011, kur INSTAT-i raporton të dhënat. Që nga viti 2021 (pas pandemisë), nga vendi janë larguar neto gati 170 mijë persona, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT-i.
Numri i individëve, që largohen për arsye punësimi, ka ardhur në rritje të ndjeshme vitet e fundit. Eurostat-i raportoi se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.
Ikja në emigracion kryesisht e të rinjve, së bashku me rënien e lindjeve, pasojë si e largimit të moshës riprodhuese, ashtu dhe të ndryshimit të stilit të jetesës, po e përmbysin gradualisht piramidën e popullsisë, në favor të moshës së vjetër, në një sinjal të uljes së produktivitetit në të ardhmen.
Në 2025-n, vetëm 44% e totalit të popullsisë ishte nën 40 vjeç, përkundrejt 67.4% në vitin 2011, sipas të dhënave të INSTAT-it. Në kontrast, pesha e popullsisë mbi 60 vjeç, arriti në 30%, nga 11% në vitin 2001!
Shqipëria është një nga shtetet që po plaket më shpejt në Europë.
Mosha mediane, që ndan popullsinë përgjysmë, arriti në 45 vjeç në fillim të vitit 2026, nga 32.6 vjeç në vitin 2011, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it. Të dhënat për 2026 në Bashkimin Europian nuk janë kalkuluar ende, por në 1 janar 2025, ky tregues ishte 44.9 vjeç. Nga viti 2014 deri në vitin 2026, mosha mediane e popullsisë shqiptare u rrit me 10.8 vite, ndërsa në BE gjatë kësaj periudhe, ky tregues u rrit me vetëm 2.4 vite.
Plakja graduale e popullsisë është një faktor i rëndësishëm që ndikon dhe riorienton potencialin për të bërë biznes, produktivitetin në ekonomi, por edhe konsumin.
Bumi turistik që ka përjetuar vendi vitet e fundit ishte një faktor i rëndësishëm që amortizoi deri diku konsumin e munguar nga rënia e popullsisë dhe nxiti një ekonomi, që po konstaton se nuk ka kush t’i shërbejë!
Bizneset po tentojnë të zëvendësojnë punonjësit shqiptarë me të huaj. Numri i tyre arriti në 22 mijë në qershor 2026, sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, dhe tashmë përbën rreth 3% të fuqisë punëtore.
Po krijohet një tendencë e qartë e një zëvendësimi të heshtur të fuqisë punëtore, që pritet të rritet në peshë specifike, por pa arritur të amortizojë hemorragjinë demografike që po kalon vendi.
Në vitin 2025, ekonomia shfaqi shenja ngadalësimi, duke u rritur me 3.66%, niveli më i ulët që pas pandemisë.
Për të dytin vit radhazi, në një tendencë shqetësuese për një ekonomi tregu me përmasa të vogla si kjo e Shqipërisë, administrata publike dhe taksat neto ishin kontribuuesi kryesor në ekonomi, të nxitur nga rritja e fortë e pagave në administratën publike. Duke përjashtuar këto dy aktivitete, rritja ekonomike ishte vetëm 0.86%, sipas INSTAT.
Bujqësia dhe industria, dy nga sektorët tipikë të krijimit të vlerës së shtuar në ekonomi, janë në territor negativ prej dy vitesh, me kontriobut negativ në rritje prej përkatësisht -0.38 pikë përqind (pp) dhe -0.5 pp.
Vetëm tre sektorë të ekonomisë reale kanë ecuri pozitive: ndërtimi (+0.5pp), pasuritë e paluajtshme (+0.42pp) dhe tregtia, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor (+0.47pp).
Kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik mbetet një faktor i rëndësishëm që po riorienton ekonominë drejt shërbimeve, duke amortizuar disi dhe rënien e konsumit nga vendasit, për shkak të emigracionit dhe uljes së fuqisë blerëse pas periudhës me inflacion të lartë.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (vlera e mallrave dhe e shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një periudhë kohore të caktuar), arriti në 26.5 trilionë lekë në vitin 2025, ose rreth 27 miliardë euro, llogaritur me kursin mesatar të vitit 2025 (98.83 lekë).
Ekonomia, në stanjacion të fshehur, qarkullon shumë para, por as punëson, as inovon
Struktura e 200 sipërmarrjeve më të mëdha sipas të ardhurave në vend është një pasqyrë e ekonomisë shqiptare: Sipërmarrje të mëdha tregtare, që qarkullojnë shuma të larta parash në shitje-blerje, por krijojnë pak punësim, nuk inovojnë dhe as krijojnë vlerë të shtuar.
“Monitor” ka përpunuar të dhënat e të ardhurave totale dhe shpenzimeve të personelit për 213 sipërmarrjet me xhiron më të lartë për vitin 2025, duke i parë dhe sipas aktiviteteve ekonomike. Nga 213 shoqëri të përfshira në përpunim, 201 kishin të disponueshme të dhënat për shpenzimet e personelit dhe të ardhurat.
Për 181 kompani janë përdorur të dhënat e vitit 2025, ndërsa për 20 të tjera, ku informacioni i fundit mungonte, janë marrë shifrat e vitit 2024.
Në krye të renditjes së Listës Monitor 200, sipas të ardhurave, rreshtohen tashmë në mënyrë stabël, një numër i lartë shoqërish tregtare, distributorësh ushqimorë, tregtarë karburantesh dhe të energjisë elektrike, të cilat qarkullojnë miliarda lekë me struktura relativisht të vogla personeli.
Në 26 kompani, ose 12.9% të totalit, shpenzimet e personelit përbënin më pak se 1% të të ardhurave. Në 57 kompani të tjera, ose 28.4%, raporti ishte nga 1 deri në 5%. 65 kompani, ose 32.3% e totalit kishin shpenzime personeli midis 5-10% të të ardhurave.
Vetëm 34 kompani, apo 16.9%, e kanë raportin e shpenzimeve të personelit në intervalin 10-20% të të ardhurave dhe vetëm 19 kompani, ose 9.5%, shpenzojnë më shumë se një të pestën e të ardhurave për paga, sigurime dhe kosto të tjera të personelit.
Një peshë e ulët e shpenzimeve të personelit ndaj të ardhurave do të ishte një zhvillim pozitiv nëse do të vinte si rezultat i rritjes së produktivitetit, automatizimit, përdorimit të Inteligjencës Artificiale apo investimeve në teknologji dhe inovacion. Por struktura e kompanive me raportet më të ulëta nuk të çon në këtë përfundim.
Në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për sipërmarrje tregtare, distributorë, tregtarë karburantesh dhe energjie, pra aktivitete që mund të qarkullojnë vlera shumë të mëdha me një numër relativisht të vogël punonjësish, pa qenë domosdoshmërisht rezultat i një kapërcimi teknologjik apo i rritjes së produktivitetit.
Nga 201 shoqëritë me të dhëna për personelin, 94 janë kompani tregtare, ose pothuajse gjysma e të gjithë kampionit. Ato realizojnë rreth 53% të të ardhurave të përbashkëta të kompanive të analizuara, ndërsa mbajnë vetëm rreth 22% të të gjitha shpenzimeve të personelit.
Në raport me xhiron e tyre, fatura e personelit është vetëm 3.3%.
25 nga 26 kompanitë që kanë shpenzime personeli nën 1% të të ardhurave klasifikohen, sipas kodeve NACE të INSTAT-it, në tregti ose energji. Edhe në fashën nën 5%, tregtia dhe energjia përbëjnë rreth 66% të kompanive.
Kompanitë tregtuese të energjisë qarkullojnë shuma të mëdha, ndërsa shpenzimet e personelit janë 0.1-0.2% e të ardhurave, pasi për të realizuar shitblerjen e energjisë në bursa nuk duhen më shumë se një grusht punonjësish.
P.sh., një kompani e madhe e tregtimit të energjisë kishte të ardhura prej rreth 21 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet vjetore të personelit ishin rreth 400 mijë euro, sipas bilancit të 2025-s.
Edhe shoqëritë e tregtimit të naftës dominojnë në qarkullim vjetor, por shpenzimet e personelit janë 0.1-0.4% e totalit të të ardhurave. Distributorët ushqimore/cigare, një tjetër segment që dominon listën e më të mëdhenjve sipas të ardhurave, nuk shpenzojnë më shumë se 1-2% të të ardhurave për punonjësit.
Investimet e viteve të fundit janë përqendruar në energjinë diellore, që pavarësisht kapitalit të angazhuar nuk sjellin punësim, ato kanë vetëm një grusht punonjësish, apo inovacion. P.sh., një shoqëri e madhe e prodhimit të energjisë diellore raportonte vetëm 2 (dy) punonjës në vitin 2025, ndërsa kishte të ardhura afër 15 milionë eurove.
Pra efekti i tyre në rritje të punësimit është qartazi zero, por ndërkohë të paktën kanë ndikim direkt në ekonomi, që shfaqet në rritje të energjisë së prodhuar në vend e diversifikimit të burimeve, dhe një efekt të dukshëm fiskal, që është në pagimin e taksave, kryesisht tatimfitimit.
Historikisht një pjesë e madhe e xhiros së biznesit të madh në Shqipëri është krijuar nga aktivitete ku lëvizja e volumit të mallrave dhe kapitalit është shumë më e madhe sesa përdorimi i fuqisë punëtore. Miliardat që kalojnë në bilanc nuk shoqërohen domosdoshmërisht me një zgjerim të ngjashëm të punësimit.
Një importues ose tregtar energjie mund të ketë të ardhura disa herë më të larta se një kompani prodhuese apo teknologjike dhe, në të njëjtën kohë, të ketë vetëm një pjesë të vogël të kostove të saj të punës.
Në rastin e parë, pjesa më e madhe e xhiros vjen nga vlera e mallit që blihet dhe rishitet; në të dytin, një pjesë shumë më e madhe e aktivitetit mbështetet te puna, aftësitë dhe procesi i prodhimit ose i shërbimit, që krijon vlerë në ekonomi.
Edhe orientimi i kapitalit vitet e fundit në ndërtim nuk ka ndihmuar aspak, përkundrazi ka krijuar një fenomen të rrezikshëm që nuk i dihet fati nëse do të mbylleshin burimet informale të financimit.
Fatkeqësisht, të dhënat tregojnë se edhe pas 30 vitesh tranzicioni, ekonomia mbetet më shumë në fazë merkantilizmi, ku pesha kryesore është te qarkullimi i mallrave dhe kapitalit, ndërsa prodhimi, inovacioni, teknologjia dhe krijimi i vendeve të punës vijojnë të kenë rol më të kufizuar në strukturën e biznesit të madh.
Pasojat e këtij modeli tashmë po ndihen. Rënia e industrisë, mbyllja e aktiviteteve prodhuese, përqendrimi te tregtia dhe ndërtimi nuk po sjellin më vlerë të shtuar në ekonomi dhe nuk po arrijnë të pengojnë hemorragjinë demografike që po e zbraz vendin.
“E vetmja mënyrë për të frenuar emigracionin janë pagat e larta”, thotë Sokol Kraja, ekonomist, sipërmarrës i “Capital Resources”, një nga të paktat subjekte përpunuese që po ecën mirë vitet e fundit. “Siç e kemi thënë dhe të gjithë ne ekonomistët, ndërtimi është një zhvillim momental.
Pas përfundimit të ciklit të tij, shpresojmë që përqendrimi i kapitaleve të orientohet drejt investimeve me vlera të larta të shtuara, në industri, në startup-e elektronike, në softuerë, të cilat do të ndihmojnë ndjeshëm ekonominë shqiptare dhe punësimin”, rekomandon ai.
Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve, ka pohuar se të ndërtosh industrinë përpunuese është një proces i vështirë, por në të njëjtën kohë, i domosdoshëm për një vend.
“Vetëm përpunimi industrial i shton vlerën produktit, shton zinxhirin e vlerës nëpërmjet nxitjes së sektorëve mbështetës, hap vende pune për profesionistë, përtej menaxherëve të shitjes që kërkon importi”.
Industria përpunuese ka humbur terren për tre vite radhazi, ndërsa bujqësia ka mbetur pothuajse në vend. Në të kundërt, rritja është mbështetur kryesisht nga ndërtimi, tregtia dhe akomodimi e shërbimi ushqimor.
Në tre vitet e fundit, ndërtimi është shkëputur ndjeshëm nga industria, duke arritur në vitin 2025 rreth 290 miliardë lekë vlerë të shtuar, me rritje 11% nga viti 2023, kundrejt rreth 214 miliardë lekëve të industrisë, (me rënie 1.1% në të njëjtën periudhë) çka tregon zhvendosjen e peshës së ekonomisë drejt ndërtimit.
Në afatin e gjatë, kjo zhvendosje drejt ndërtimit dhe dobësimi relativ i industrisë rrezikon ta bëjë rritjen ekonomike më pak të qëndrueshme, pasi ndërtimi krijon më pak kapacitete eksportuese, inovacion dhe vende pune të kualifikuara sesa industria prodhuese.
Të dhënat e tjera të Eurostat-it konfirmojnë që ekonomia shqiptare ka shpenzimet më të ulëta për paga në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë. Në praktikë, ky është një indikator se sa për qind e vlerës së krijuar në ekonomi shpërndahet te punonjësit në formën e pagave.
Në 2025-n, për Shqipërinë, ky tregues ishte 25% e PBB-së, nga 38.2% mesatarja europiane. Pra, për çdo 100 euro të PBB-së, në Europë 38 euro shkojnë për paga, ndërsa në Shqipëri, vetëm 25.
Nga vendet e rajonit, që kanë informacion, Serbia e ka këtë tregues mbi mesataren europiane, duke arritur në 39.1% dhe Bosnjë-Hercegovina 36.3%. Niveli i ulët i shpenzimeve për paga në Shqipëri lidhet edhe me nivelin e lartë të vetëpunësimit, që nuk llogaritet në këtë tregues.

Ngërçi i krijuar në ekonomi, me mungesën e fuqisë punëtore dhe produktivitetin e ulët, shfaqet dhe në rritjen e kostove të personelit. Për 170 shoqëritë më të mëdha në vend, që kanë deklaruar të dhënat për vitin 2025, shpenzimet e personelit u rritën me 14% në 2025-n.
Jo të gjitha i deklarojnë punonjësit, por nga shoqëritë që kanë të dhënat, rezulton se nuk ka rritje të fortë të punësimeve të reja në vitin 2025. Në 75 kompani që deklaruan punonjësit për 2024-2025, pa përfshirë bankat, numri i tyre u rrit me 3.5%.
Duke krahasuar shpenzimet e personelit 2025 me 2024, vetëm për kompanitë që kanë të dhëna për të dy vitet, rezulton se te grupet me numër të konsiderueshëm kompanish, rritja më e fortë e faturës së personelit është te prodhimi i energjisë, me rreth 21.2%, (e ndikuar nga sipërmarrjet shtetërore) e ndjekur nga tregtia me 15.9% dhe ndërtimi, po me rreth 15.9%. Në transport rritja është rreth 9.3%, në informacion dhe komunikim, 6.3%, ndërsa në industrinë përpunuese, vetëm rreth 4%.
Bankat dallojnë gjithashtu për një rritje të fortë. Për 9 bankat që kanë të dhëna të krahasueshme në tabelë, shpenzimet e personelit u rritën nga rreth 16.23 miliardë lekë në vitin 2024 në 18.44 miliardë lekë në vitin 2025, ose me 13.6%. Në të njëjtën kohë, të ardhurat e tyre u rritën vetëm me rreth 6.2%.
Si rrjedhojë, pesha e shpenzimeve të personelit ndaj të ardhurave u rrit nga rreth 14.9% në 16%. Sipas të dhënave të tjera të Shoqatës së Bankave, sistemi bankar në vitin 2025 kishte 7,849 punonjës, nga 7,134 në vitin 2024, ku ndikimin kryesor e ka dhënë përthithja e institucionit të mikrofinancës NOA, nga Banka Amerikane e Investimeve (ABI).
“Monitor 200”
Ndryshimet demografike dhe presioni që ato ushtrojnë në konsum po ndikojnë në ecurinë e bizneseve, që po rriten më ngadalë për të dytin vit radhazi.
Totali i xhiros së 200 kompanive më të mëdha në vend, në vitin 2025, në renditjen e përvitshme të “Monitor 200”, ishte 1.47 trilionë lekë (rreth 15 miliardë euro), pothuajse në të njëjtin nivel me qarkullimin e 200 shoqërive më të mëdha në vitin 2024.
Ecuria e të ardhurave të 200 kompanive më të mëdha ndikohet kryesisht nga sektorë si tregtimi i naftës, energjisë, që janë të lidhura direkt me koniunkturën e çmimeve ndërkombëtare, apo nga ndërtimi, që ka luhatje të forta në varësi të ecurisë së shitjeve të banesave rezidenciale dhe projekteve të infrastrukturës që financohen nga buxheti.
Tregtimi i energjisë ishte një faktor që rriti xhiron në vitin 2025, si rrjedhojë e vitit të thatë hidrik, që kërkoi blerje nga importi.
Kufiri i qarkullimit vjetor minimal të subjekteve që kanë hyrë te 200 më të mëdhatë është rreth 2.5 miliardë lekë, nga 2.4 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Tregtia dhe ndërtimi vijojnë të dominojnë listën.
Zhvillimi më pozitiv në vitin 2025 është rritja e shoqërive të teknologjisë së informacionit, që po zëvendësojnë gradualisht shoqëritë call center, duke ofruar vende pune për specialistë të IT dhe paga më të mira. Aktiviteti i hotelerisë është në rritje, i nxitur nga turizmi, por sërish asnjë shoqëri nuk arriti të hyjë në renditjen e “Monitor 200” të vitit 2025.
Biznesi i kazinove po rritet sërish, i ndikuar dhe nga turizmi. Hyrjet e kompanive cilësore janë me pikatore.
Përkundrazi “Monitor” gjeti dhe kompani që nuk kanë as faqe interneti (një lloj elementi i domosdoshëm dhe gjithmonë i pranishëm në ditët e sotme për ndërmarrje të mëdha) dhe kishin aktivitet në fushën e ndërtimit në përmasë të tillë që u renditën në vitin 2025 ndër më të mëdhatë në vend.
“Monitor 200” ka hartuar, si çdo vit, renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, bazuar në listën emërore të subjekteve të mëdha të marra nga Tatimet dhe xhirot e deklaruara nga subjektet, në bilancet e dorëzuara nga vetë kompanitë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe të dhënave të bëra publike aty, ose nga deklarime të vetë subjekteve për ato kompani të cilat nuk e kanë dorëzuar ende bilancin në QKB. Në numër mbizotërojnë subjektet me aktivitet në fushën e tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese.
10 KOMPANITË MË TË MËDHA NË VEND
1. “Kastrati Energy Trade”
Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë, “Kastrati Energy Trade”, (ish-“Kastrati Group”) është për të dytin vit radhazi në vendin e parë në listën e “Monitor 200”, që i rendit sipërmarrjet sipas të ardhurave vjetore.
Shoqëria raportoi gati 90 miliardë lekë të ardhura në 2025-n, me rritje 15.5% me bazë vjetore, duke u bërë sipërmarrja e parë në Shqipëri, që po i afrohet kufirit të 1 miliard euro xhiro vjetore.
Vitet e fundit, grupi “Kastrati” është diversifikuar edhe në ndërtim e hoteleri dhe sidomos në ndërtim e operim në infrastrukturë – me një seri projektesh të tilla (Porti MBM, Aeroporti i Rinasit) dhe autostrada (Rruga e Kombit, me 50% të aksioneve).
2.“OSHEE Group”
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group), një kompani publike, ka në pronësi tri shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Të tria kompanitë kanë filluar të operojnë si të veçanta nga 1 janari 2020, pas ndarjes së funksioneve dhe konsolidohen në “OSHEE Group”.
Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit faktik të Ministrisë së Financave, qarkullimi vjetor i të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda grupit, ishte 72.8 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie prej 7.1% me bazë vjetore, duke u renditur në sipërmarrjen e dytë në vend, sipas të ardhurave dhe ndërmarrjen publike më të madhe.
Mentor Hima, Administrator i OSHEE Group thotë se rezultatet e reformës së nisur rreth 10 vjet më parë po konsolidohen gjithnjë e më shumë, duke forcuar pozicionin financiar të Grupit dhe besimin e partnerëve vendas e të huaj. Reduktimi i humbjeve dhe norma e arkëtimit mbeten dy shtyllat kryesore të performancës së OSHEE Group.
“Gjatë vitit 2025 u konsolidua ndjeshëm edhe performanca financiare e shoqërisë, si rezultat i përmirësimit të punës, rritjes së eficiencës dhe të ardhurave më të larta të lidhura me rritjen e konsumit të energjisë.
OSSH dhe FTL, dy nga shoqëritë e OSHEE Group, kanë tashmë kapital pozitiv, duke rikuperuar humbjen e trashëguar që nga viti 2014, kur pronësia e shoqërisë kaloi nga ÇEZ te shteti shqiptar me një kapital negativ prej rreth 71 miliardë lekësh”.
3. “Europetrol Durrës Albania”
“Europetrol Durrës Albania”, shoqëria që tregton karburante, u ngjit në vendin e tretë në vitin 2025, si shoqëria me të ardhura më të larta. Kompania deklaroi rritje të fortë me 32.3%, duke qarkulluar 37.3 miliardë lekë.
Sipas raportit të aktivitetit, kompania ka rritur portofolin e klientëve të besueshëm, i cili është fokusuar në favor të segmentit të klientëve dhe të bizneseve garantuese të cilët parapaguajnë produktet.
Kompania pohon se ka ndërtuar sistemin për administrimin dhe menaxhimin e rreziqeve financiare, përfshirë strategjinë dhe politikat të cilat shërbejnë në identifikimin, matjen dhe zvogëlimin e të gjitha rreziqeve të biznesit: rrezikut debitor, kreditor, tregut, marketingut, likuiditetit, operacional, ligjor, reputacionit etj.
4.“Gega Oil Group”
“Gega Oil Group” u rendit në vitin 2025, si operatori i katërt më i madh në vend. Kompania ka deklaruar qarkullim vjetor prej rreth 33 miliardë lekësh, me rënie prej 6.8% me bazë vjetore.
Sipas raportit të aktivitetit, 99% e të ardhurave kanë ardhur nga shitja e karburanteve brenda vendit dhe për eksport.
Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare, shoqëria “Gega Oil Group SH.A.” ka shitur diesel në sasinë 318.2 milionë litra, benzinë në sasinë 41.4 milionë litra. Sasia totale e karburanteve në litra e tregtuar për vitin 2025 është 357 milionë litra, pothuajse njëlloj sa një vit më parë. Për vitin 2025, në shoqërinë “Gega Oil Group SH.A.” kanë qenë mesatarisht 53 të punësuar në muaj, nga 51 vitin e mëparshëm. Paga mesatare bruto mujore për një të punësuar për vitin 2025 ishte 112 mijë lekë, nga 108 mijë lekë një vit më parë.
5.“Big Market”
“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, për të katërtin vit është klasifikuar ndër 10 më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor të konsoliduar për të gjithë rrjetin. Në vitin 2025, shoqëria ka ruajtur vendin e pestë. Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, ishin rreth 28.6 miliardë lekë, me rritje prej 3.3% në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas burimeve zyrtare nga kompania, rritja e turizmit është një mundësi e rëndësishme për sektorin e retail-it. Sfida është që këtë fluks ta kthejmë në kërkesë të qëndrueshme dhe në investime të mirëpozicionuara.
Këtu lidhet drejtpërdrejt edhe strategjia e zgjerimit të “Big Market”.
“Zgjerimin nuk e shohim thjesht si shtim të numrit të pikave, por si rritje të mbulimit të tregut dhe afërsisë me konsumatorin. Vendimmarrja për pika të reja duhet të mbështetet te potenciali demografik dhe turistik, densiteti i zonës, fuqia blerëse, flukset sezonale, konkurrenca, aksesueshmëria dhe potenciali afatgjatë i lokacionit. Prioritet mbetet forcimi i pranisë në zonat urbane me kërkesë të lartë, por edhe pozicionimi strategjik në destinacionet turistike dhe zonat në zhvillim”.
6.Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH)
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH) renditet për të katërtin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave, duke u pozicionuar në vendin e gjashtë. Në vitin 2025, të ardhurat ishin 28.2 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë, sipas të dhënave të buxhetit faktik të Ministrisë së Financave.
7.“NOA Energy Trade”
“NOA Energy Trade” është për të dytin vit radhazi në listën e 10 shoqërive më të mëdha sipas qarkullimit vjetor. Shoqëria, që ka aktivitet në tregtimin e energjisë elektrike, kishte të ardhura prej 27 miliardë lekësh, me rritje 3% në krahasim me një vit më parë.
“Këto të ardhura përfaqësojnë të ardhura nga shitja e energjisë elektrike brenda vendit, nga tranziti i energjisë elektrike, si dhe nga eksportimi i energjisë elektrike”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“Gjatë vitit 2025, NOA Energy Trade sh.p.k. vijoi të forcojë praninë e saj në sektorin energjetik, me fokus në tregtimin dhe furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, Kosovë, Bullgari dhe tregjet e tjera të rajonit.
Kompania realizoi të ardhura prej rreth 27 miliardë lekësh, duke ruajtur një volum të lartë aktiviteti dhe duke konsoliduar pozicionin e saj në një treg gjithnjë e më dinamik dhe konkurrues.
Krahas zgjerimit të aktivitetit ndërkufitar, vëmendja u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve me klientët dhe partnerët, menaxhimin efikas të portofolit tregtar dhe përshtatjen me zhvillimet e tregjeve të energjisë.
Për NOA Energy Trade, viti 2025 shënoi një tjetër hap në forcimin e profilit të saj si operator rajonal, me fokus në qëndrueshmëri, fleksibilitet tregtar dhe ofrimin e zgjidhjeve konkurruese për klientët”, thanë burime zyrtare të shoqërisë.
8.“Inter Distribution Services”
“Inter Distribution Service”, prej disa vitesh ka kaluar në distributorin me shumicë më të madh të produkteve ushqimore në vend. Shoqëria është për të dytin vit radhazi në listën e më të mëdhave. Qarkullimi vjetor ishte 25.8 miliardë lekë, me rritje 14%, në raport me vitin e mëparshëm, duke u zgjeruar me ritme dyshifrore për të dytin vit radhazi.
Sipas raportit vjetor, shoqëria ka pasur ulje të rentabilitetit për shkaqe anësore që nuk kanë të bëjnë me aktivitetin e biznesit, siç është rritja e vazhdueshme vit pas viti e akcizës dhe, për rrjedhim, edhe xhiros së kompanisë në vlerë, si pasojë e rritjes së çmimeve për shkak të këtij faktori.
“Gjatë këtij viti, nga ana e kompanisë, por edhe nga furnitori, ka vazhduar rritja e investimeve në drejtim të trajnimit dhe kualifikimit të fuqisë punëtore, si dhe përsosjes së metodikave dhe organizimit në shitje.
Nga ana tjetër, një vëmendje e shtuar ka qenë kundrejt konsolidimit të markave ekzistuese dhe atyre të reja e inovative, sidomos në produktet me rrezik më të ulët për konsumatorin, që janë dhe pritet të jenë gjithmonë e më shumë në të ardhmen e afërt një faktor i rëndësishëm në biznes.
Një kujdes i veçantë i është kushtuar ruajtjes së cilësisë së produkteve në të gjithë zinxhirin e vlerës, nga ruajtja, magazinimi e transporti deri në tregtimin e tyre. Edhe për vitin 2026 pritet të kemi rritje të fitimit në vlerë absolute dhe përkeqësim të treguesve relativë të rentabilitetit, si rrjedhim i faktorit të përmendur më sipër”.
9.“Banka Kombëtare Tregtare”
“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT) është sërish edhe në vitin 2025 në listën e 10 më të mëdhave, pasi rihyri në vitin 2023. BKT mbetet banka më e madhe në vend sa u përket të ardhurave, me qarkullim prej 24.8 miliardë lekësh në vitin 2025, pothuajse në nivelet e vitit të mëparshëm.
Sipas të dhënave të tjera nga Shoqata e Bankave, BKT është më e madhja në vend për nga totali i aktiveve, dhe e para për nga depozitat, por nga ana tjetër, vetëm e treta për nga huadhënia në ekonominë e vendit.
Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i “Bankës Kombëtare Tregtare”, ka pohuar në një intervistë të mëparshme për “Monitor” se “gjatë vitit të kaluar, banka jonë konsolidoi pozicionin e saj si shtylla kryesore e sistemit financiar shqiptar.
Një nga arritjet tona më të spikatura erdhi në mars 2025, kur siguruam pozicionin tonë si lider në tregun e kreditimit për individë, një pozicion që e ruajtëm deri në fund të vitit, duke vijuar njëkohësisht të kryesojmë me diferencë tregun e depozitave me mbi 24% pjesë tregu.
Kreditë për biznes kanë shënuar rritje të ndjeshme në vitin 2025 dhe presim që kjo prirje të vazhdojë edhe gjatë vitit në vijim.
Një zhvillim i rëndësishëm ka qenë edhe zbatimi me sukses i kapaciteteve për transfertat SEPA, si dhe harmonizimi më i gjerë i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian, duke shënuar transformim thelbësor për sektorin bankar”.
10.“Banka Credins”
“Banka Credins” ka hyrë për herë të parë në 10 shoqëritë më të mëdha në vend sipas të ardhurave. Banka raportoi të ardhura prej 22.4 miliardë lekësh, me rritje prej 13.8% me bazë vjetore.
Sipas Shoqatës së Bankave, “Banka Credins” është e dyta më e madhe në vend nga totali i aktiveve dhe e dyta për depozitat, por renditet e para për huadhënien në ekonominë vendase.
“‘Credins Bank’ mbylli një vit jo thjesht të suksesshëm financiar, por mbi të gjitha duke ju përshtatur edhe risive të tregut, si dhe duke qenë pararojë me kërkesat dhe dëshirat e klientëve të saj.
Projektet e rëndësishme të bankës kanë qenë të fokusuara kryesisht në rrugën drejt zhvillimit dhe përmirësimit të infrastrukturës digjitale. Implementimi me sukses i skemave të pagesave SEPA dhe përafrimi me standardet europiane të pagesave, ishin një nga përparësitë e ‘Credins’ për vitin 2025.
Kreditimi ka vijuar të jetë një nga motorët kryesorë të rritjes. Me mendësinë e një banke që kërkon të japë përvojën më të mirë, ‘Credins’ vijon të pozicionohet si lider në aktivitetin e kredidhënies duke zgjeruar portofolin e saj të kredisë me 8.5% krahasuar me vitin e kaluar”, ka pohuar në një intervistë të mëparshme, Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i “Credins Bank”./ Monitor/



