Lëmosha e qeverisë për fermerët e rinj: Lopa në treg kushton 3 milionë, shteti thotë se kushton 1.3 milionë

Qeveria miratoi disa muaj më parë skemën për të mbështetur fermerët e rinj, deri në 1 milionë lekë.
Skema u lançua nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Bujqësisë Andis Salla. Punonjësit shtetërore i hartuan letrat nga zyra, teksa fermerët i plotësuan me shumë mund.
Mariglen Kreka, 32 vjeç, fermer nga Maliqi, i plotësoi dokumentet. Mori ofertë nga një firmë që importon lopë. E gjeti 1 lopë me 3 milionë lekë të vjetra. U shpall fitues. Kur shkoi të firmosë kontratën i thanë se “udhëzimi thotë se marrim për bazë ofertën më të ulët që ka mbërritur në AZHBR”.

Nga 3 milionë lekë që e gjeti fermeri lopën, qeveria thotë se oferta më e ulët ka qenë 1 milionë e 380 mijë lekë. Fermeri ka kontaktuar disa importues dhe çmimi i 1 lopë është 3 milionë, racë gjermane. “Ma gjeni 1 milionë e 380 mijë dhe shkoj e marr atje, marr dhe më shumë” thotë ai në një përballje me punonjëset e AZHBR. I japin një numër, e merr po firma s’ia hap.
Marigleni thotë se aplikoi në momentin kur pa zyrtarët shtetërorë. “Edhe ministri i bujqësisë, Andis Salla, thotë se fermerët e rinj të aplikojnë për zgjerim ferme, me vlerën jo më shumë se 10 milionë lekë të vjetra. Nga këto 70 % i mbulon shteti. I plotësova dokumentet për të blerë lopë ‘Holstein’ (racë gjermane). U shpalla fitues dhe shkova për të firmosur kontratën” pohon fermeri.
Më tej shton se ka parë në dokumente që vlera e lopës që ai kishte gjetur me ato në letra nuk korospondente. “Unë 1 lopë e gjeta me 3 milionë lekë të vjetra. Ata kishin shënuar në dokumente se vlera ishte 1 milionë e 380 mijë lekë. Me këtë lloj vlere unë s’mund të blejë këto lopë. Ata thanë se ne kemi marrë ofertë dhe kemi nxjerrë një çmim reference”, pohon ai.

Fiksi ka mësuar se ky nuk është një çmim reference, por AZHBR ka vendosur një kriter përjashtues për shumë fermerë të rinj. Në vend që të bënte studime tregu, zyrtarët shtetërorë, apo ata që përpilojnë letra nga zyrat, kanë vendosur që të subvencionojnë fermerët me çmimin më të ulët që kanë marrë. Marigleni thotë se ku është kjo ferma që të shkojë dhe t’i marrë. Tani këta do t’më japin mua 4 milionë e 800 mijë lekë. Dhe kjo vlerë është për 1 lopë e gjysmë. Një ofertë lëmoshë për këtë fermer të ri!
Marigleni thotë që ministri t’a dëgjojë këtë thirrje dhe t’a shpallë fitues se e meriton dhe i plotëson të gjitha kriteret. Pas kësaj ankese, Fiksi shkon te AZHBR bashkë me fermerin.
Të gjithë e mbajnë mend se çfarë ndodhi dy herët e fundit që grupi i Fiks Fare u interesua pranë zyrave shtetërorë. Fillimisht, drejtoresha Ardita Kuçi lajmëroi dy patrulla policie. Herën tjetër, nxori punonjëset për të xhiruar grupin e Fiks Fare. Aktualisht, një nga ato punonjëse, Antoneta Gjoni, është komanduar drejtoreshë, pas zonja Ardita Kuçi ka marrë leje lindje.

Fiksi dhe Marigleni e pyesin se ku e gjeti çmimin për 1 lopë, na thotë se kështu është udhëzimi i ministrisë së Bujqësisë; marrin për baza ofertën më të ulët që ka mbërritur në AZHBR! Po nëse oferta është bërë me mik dhe s’do t’i japë lopë Mariglenit, si i bëhet?
Drejtoresha e komanduar thotë se ata këtë vendim kanë dhe s’e kthejnë dot më, marrin për bazë ofertën më të ulët. Në fund, drejtoresha i jep emrin dhe numrin e një firme. Marigleni kontakton dhe ferma dhe personat s’i hapin telefonin.



