Kush ishte Saimir Vishaj, avokati i njohur që i kushtoi mbi dy dekada drejtësisë shqiptare

Aktualitet

Kush ishte Saimir Vishaj, avokati i njohur që i kushtoi mbi dy dekada

Avokati i njohur Saimir Vishaj është ndarë nga jeta këtë të martë, më 3 nëntor, në moshën 60-vjeçare. Ai ndodhej i shtruar prej dy ditësh në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje të rëndë, pasi dyshohet se ishte rrëzuar nga shkallët.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, avokati nuk ka mundur të mbijetojë.

Por kush ishte Saimir Vishaj?

Saimir Vishaj ishte një figurë e njohura e botës juridike në Shqipëri. Për vite me radhë, ai u identifikua me avokatinë penale, debatet e forta publike dhe qëndrimet e drejtpërdrejta për çështjet e drejtësisë. Ai ishte një emër i pranishëm në disa prej proceseve më të bujshme gjyqësore në vend, ndërsa në daljet e tij publike shpesh ngrinte shqetësime për problematikat e sistemit të drejtësisë.

Vishaj kishte përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1996, ku ishte diplomuar jurist. Profesionin e avokatit e ushtronte që prej vitit 1998.

Një prej angazhimeve të tij kryesore ishte drejtimi i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, detyrë të cilën e mbante prej vitit 2009. Ai kishte gjithashtu eksperiencë si pedagog në universitete private dhe pranë Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Vishaj ishte përfshirë edhe në grupe pune për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.

Gjatë karrierës së tij, ai kishte përfaqësuar klientë në një sërë çështjesh të njohura penale, duke u bërë një nga zërat aktivë në diskutimet publike për drejtësinë dhe funksionimin e institucioneve.

Në tetor të vitit 2025, avokati shpalli kandidaturën për postin e Avokatit të Popullit, duke nisur mbledhjen e firmave në mbështetje të kandidimit të tij.

Beteja me sëmundjen dhe rikthimi në jetë

Përtej karrierës profesionale, një nga periudhat më të vështira të jetës së Saimir Vishajt ishte beteja me një sëmundje të rëndë, e cila e mbajti për një kohë të gjatë larg aktivitetit të tij.

Në intervista të dhëna për emisionet “Mes’Dritë” dhe “Living Day” në Vizion Plus, avokati kishte rrëfyer kalvarin e gjatë shëndetësor, momentet kur ishte përballur me vdekjen dhe rikthimin në jetë pas trajtimit në Shqipëri dhe Itali.

Ai tregonte se kishte kaluar disa gjendje kome, i ishte nënshtruar kimioterapisë dhe kishte qëndruar për muaj të tërë i shtrirë, përpara se të arrinte të ngrihej sërish në këmbë.

“Kam përballuar tre kimioterapi dhe tre gjendje kome, ku isha gati i vdekur”, ishte shprehur Vishaj gjatë një prej rrëfimeve të tij televizive.

Në një tjetër intervistë, ai tregoi se gjithçka kishte nisur pas një seance gjyqësore, kur ishte rrëzuar në tokë dhe kishte përfunduar në koma për shtatë ditë. Pasi nuk ishte arritur të përcaktohej diagnoza në Shqipëri, ai ishte nisur drejt Italisë, ku kishte marrë trajtim të specializuar.

Avokati kishte rrëfyer se mjekët kishin zbuluar infeksione të rënda në mëlçi, zorrën e trashë dhe mushkëri, ndërsa trajtimi kishte qenë i gjatë dhe i vështirë.

Pas katër muajsh përballje me sëmundjen dhe rehabilitim, Vishaj ishte rikthyer në këmbë dhe më pas edhe në sallat e gjyqit, duke rifilluar aktivitetin profesional.

Rrëfimi për familjen, vetminë dhe jetën personale

Vishaj kishte folur edhe në media për jetën personale, marrëdhëniet familjare dhe ndarjen nga bashkëshortja, pas rreth 40 vitesh njohjeje.

Ai kishte treguar se fëmijët e tij jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa largësia kishte ndikuar në marrëdhëniet familjare.

“Me fëmijët komunikoj, por largësia është largësi”, ishte shprehur ai, duke rrëfyer gjithashtu se divorci ishte formalizuar në gjykatë.

Avokati nuk kishte fshehur as ndjesinë e vetmisë dhe zhgënjimin që kishte përjetuar gjatë betejës me sëmundjen, duke treguar se disa njerëz ishin larguar në momentet më të vështira të jetës së tij.

Megjithatë, ai shprehej se nuk dëshironte të mbante mëri dhe se kishte zgjedhur ta shijonte jetën, duke iu përkushtuar shëndetit, familjes dhe profesionit.

“Jeta fitoi”, ishte një nga mesazhet që përcillte në rrëfimin e tij për betejën e vështirë shëndetësore.

Saimir Vishaj largohet nga jeta pas një karriere prej më shumë se dy dekadash në avokatinë shqiptare, duke lënë pas një profil të njohur në botën juridike dhe kujtimin e një figure që ishte pjesë e pandashme e debateve publike për drejtësinë në Shqipëri.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion