Dita e 64-ër e protestës, nis grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”

Një numër i madh qytetarësh janë mbledhur sërish sot në sheshin “Skënderbej”, prej nga do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Kjo është dita e 64-të radhazi e protestave kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit që ai drejton.
Pjesëmarrësit kërkojnë që kreu i qeverisë të japë menjëherë dorëheqjen, ndërsa shprehin pakënaqësinë e tyre për vështirësitë ekonomike, rritjen e çmimeve dhe kushtet e rënda të jetesës.
Nga vendi ku po zhvillohet tubimi, një e moshuar foli për televizionin News24, duke rrëfyer me emocion dhe indinjatë problemet e përditshme me të cilat përballen pensionistët në vend.
Ajo deklaroi se protesta do të vazhdojë deri në largimin e Edi Ramës dhe u bëri thirrje të gjithëve që t’i bashkohen tubimit, pas 64 ditësh qëndrimi në shesh.
E moshuara theksoi se protestuesit nuk do të largohen pa dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa denoncoi pensionet tepër të ulëta, pamundësinë për të blerë ilaçet e nevojshme dhe faktin se në spitale, sipas saj, pacientët nuk kontrollohen pa paguar para.


