Vjosa Osmani kërkon "hetime" për situatën e furnizimit me ushqim për FSK-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së.
Bekim Kupina, këshilltar për Media, tha për RTKlive se Osmani po ashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes Maqedonci.
“Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Përndryshe, Presidentja Osmani ka kohë që ka bërë propozimin për program shtetëror për mbështetjen e shumëdimensionale të FSK-së që ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj, njëherit edhe motivin e tyre”, tha Kupina.
Mirëpo, sipas tij ky program ka nevojë që të ketë mbështetje buxhetore në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili propozohet nga Qeveria dhe miratohet në Parlament.
“Programi 7-pikësh përfshinë këto elemente: Pagesa e shtesave në paga për rrezikshmëri, Pagesa e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, Pagesa e mëditjeve për pjestarët e FSK-së gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit (gjatë tërë periudhës së shkollimit apo trajnimit e jo vetëm për 1 muaj),
Sigurimi shëndetësor, Funksionalizimi i spitalit ushtarak me shërbime të nivelit sekondar dhe tercial mjekësor, Përmirësimi i cilësisë së ushqimit me standardet me të larta shëndetësore dhe sanitare, Sigurimi i banimit të përballueshëm për ushtarakët dhe familjet e tyre dhe Krijimi i fondit kreditues për ushtarakët", tha ai.
Kupina tha se realizimi i këtij programi mbështetës, gjithashtu ndikon në fuqizimin e operacionalitetit të FSK-së, në kohën e tranzicionit e zhvillimit të saj me qëllim të realizimit të detyrave ligjore dhe misionit kushtetues të saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror.
“Përgjatë ditëve në vijim, pas takimeve të radhës me institucionet relevante, do të mund t’ju japim më shumë detaje lidhur me këtë çështje”, tha Bekim Kupina, këshilltar për Media.